Vllaznia e futsallës është pjesëmarrëse për herë të tretë në Kampionatin Kombëtar të Futsallës. Në dy paraqitjet e sezoneve të kaluara, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj ka bërë një paraqitje dinjitoze duke qënë pretendente deri në javët e fundit për fitimin e titullit kampion. Por, këtë sezon duhet pranuar se nisja nga ana e kuqebluve nuk ka qënë aspak e mirë.
Themi kështu, pasi në javën e parë, teksa luante në transfertë me ekipin e Partizanit, Vllaznia është mundur me rezultat të thellë 11 me 4. Saimir Hyseni, Saimir Pepushaj, Besald Beci dhe Ari Djepaxhia, kanë qënë autorët e golave kuqeblu në këtë ndeshje, por nga ana tjetër pësimi i 11-të golave në portën e Vllaznisë ka regjistruar humbjen e parë në start të kampionatit.
Ndërkohë, edhe java e dytë kishte në kalendar përsëri ndeshje në transfertë për ekipin e Vllaznisë, këtë radhë ndaj skuadrës tjetër kryeqytetase, Tirana. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit është karakterizuar nga një rivalitet, ku të dyja skuadrat kërkonin fitoren.
Ndryshe nga ndeshja e javës së parë ndaj Partizanit, kuqeblutë, në radhët e të cilëve në këtë kampionat është përfshirë edhe një emër i njohur i futbollit shkodran, si Alsid Tafili, ka pasur një përformancë shumë më të mirë.
Madje, ka qënë Vllaznia e Futsallës, e cila ka kaluar e para në avantazh me anë të Senad Lekajt, një një nga futbollistët më të dalluar që luan sezonin e tretë radhazi në formacionin e kësaj skuadre. Megjithatë, bardheblutë vendas kanë arritur të shënojnë tre herë në portën e Vllaznisë duke dalë fitues të këtij takimi me rezultatin 3 me 1.
Sipas drejtuesve të Vllaznisë së Futsallë, humbjen në përballjen me Tiranën, ia faturojnë arbitrimit, i cili me vendimet e njëanshme gjatë ndeshjes ka ndikuar për humbjen e kuëebluve. Ndeshja e mbrëmshme, ishte e fundit për vitin 2023, ndërkohë që Kampionati Kombëtar i Futsallës, rikthehet në javën e parë të janarit, ku Vllaznia do të luajë brenda duke pritur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Flamurtarit, një tjetër rival në këtë sezon futbollistik.
Ballafaqimi me vlonjatët pritet të jetë interesant, jo vetëm për faktin se Vllaznia luan ndeshjen e parë të këtij sezoni në shtëpi, por edhe për atë që në radhët e Flamurtarit luajnë edhe tre futbollistë shkodranë që sezonin e kaluar qënë pjesë e Vllaznisë.
Ndonëse, fillimi nuk ishte ai i pritshmi, drejtori teknik i futsallës shkodrane, Arben Xhaferi, beson shumë se në javët e ardhshme, niveli i lojës dhe rezultatet pozitive të skuadrës së tyre do të kenë përmirësime të ndjeshme. Me këtë rast, drejtori KF Vllaznia Futsal, Xhaferi, krahas sponsorit të përgjithshëm Avonaxgroup OÜ dhe Bashkisë Shkodëre, dëshiron të falenderojë edhe tifozat e Vllaznia Diasporë për mbështetjen e treguar në këtë sezon sportiv. Ndërkohë, Xhaferi, përfiton nga rasti të përcjellë një ftesë tifozërisë shkodrane, të jetë sa më e madhe në numër në mbështetje të Vllaznisë për sfidën ndaj rivalit Flamurtari, që do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
(Video) Pamje nga ndeshja e Kampionatit Kombëtar të Futsales, Partizani-Vllaznia, 11-4.