KF Shkodra, e ka kthyer në traditë organizimin e takimeve festive në mbyllje të sezonit. I tillë ishte edhe ai i organizuar pasditen e së mërkurës, ku në fokus ishin suksesi më i fundit i shpalljes së ekipeve kampionë U16 dhe U17, por në tërëësi edhe të ekipeve U15, U19 si dhe ekipit të të rriturve debutues në Kategorinë e Tretë.

“KF Shkodra, shtëpia e kupave dhe lojtarëve të së ardhmes”, shkruhej në logon që shoqëronte aktivitetin në fjalë, çka simbolizon edhe motivin kryesor të punës në këtë klub, nga gjiri i të cilit kanë dalë dhe vijojnë të dalin futbollistë cilësorë, të cilët në vazhdimësi kanë arritur të luajnë në nivele të larta, Superioren e futbollit shqiptar si dhe ekipet kombëtare nga moshat deri tek skuadra e parë, përfshirë këtu edhe kampionatet e elites së Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe deri në nivelet e larta Europianë.

Një takim festiv, ku krahas futbollistëve të grupmoshave përkatëse të KF Shkodra, kishte të pranishëm edhe futbollistët e dalë nga ky klub, si Abdurrahman Fangaj, Antonio Marku, Geralb Smajli, Rejan Alivoda, por edhe futbollistë të tillë si Armir Grima, Brikeno Bizi, Uliks Kotrri, Rudi Vata, Çlirim Basha, të cilët janë trajnuar nga trajneri Taip Piraniqi 30-të vite më pare me ekipin e të rinjvë të Vllaznisë kampione.

Për të respektuar historinë e KF Shkodra, të pranishëm ishin edhe veteranët e njohur të futbollit shkodran, Fatmir Paçrami dhe Fatmir Lugji, presidenti i Juban Danja Ferdinand Jaku, themelues i klubit të parë të parë të futbollit të femrave në Shqipëri, shefi i sporteve në Bashkinë Pukë Përparim Laçi, presidenti i KF Ada Alfred Pjetri, kryetari i kolegjumit të arbitrave të futbollit Shkodër, Dritan Salaj etj.

Ndërkohë, miq special kishte edhe nga Vlora me ish futbollistin e njohur Latif Gjondeda me koleget e tij, por edhe nga Ulqini, me ish kryebashkiakun e Ulqinit dhe ministrin e pakicave, Gëzim Hajdinaga, si dhe Misha Çausheviç, ish basketbollist i njohur dhe administrator i qëndrës sportive ulqinake, “Çausheviç”.

Takimi festiv i moderuar nga dyshja e gazetarëve sportiv, Dëfrim Methasani dhe Gaspër Marku, solli në vemendje ecurinë e suksesshme të ekipeve të KF Shkodra gjatë sezonit sportiv 2025-2026, ndërkohë që u shoqërua edhe dekorime të figurave sportive shkodrane.
Me diploma përkatëse u nderuan edhe futbollistët më të spikatur të grupmoshave përkatëse të KF Shkodra, si dhe trajnerët e tyre.
Aktiviteti në fjalë i ndërthurur edhe me muzikë nën interpretimin e spikatur të këngëtarit Klisman Llazanit dhe grupit të tij është mbyllur me dekorimet që Shoqata e Tifozëve të zjarrtë të Vllaznisë, “Përjetë kuqeblu”, ku kryetari i saj Sandër Dema, dorëzoi kupa dhe diploma për futbollistët më të spikatur të KF Shkodra, si dhe për kryetrajnerin Taip Piraniqi.
Viti 2026 përkon me 30-vjetorin e krijimit të KF Shkodra, për të cilën kryetrajneri Taip Piraniqi dhe presidenti i KF Shkodra, Florenc Marku, paralajmëruan një superfestë gjigande që do të organizohet në Shkodër në kujtim të kësaj date të shënuar, ku pjesëmarrja pritet të jetë shumë më e zgjeruar me autoritete nga Shkodra, Tirana dhe më gjërë.
(Video) Pamje nga ceremonia festive e KF Shkodra në mbyllje të sezonit 2025-2026, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE. Fotot nga Mikel Thepina.
Gaspër MARKU


