Pasditja e së mërkurës së 5 gushtit 2026 konsiderohet si një ditë e veçantë për klubin bushatas Basania FC. Një ditë, prej së cilës nis epoka e një skuadre e cila pritet të ketë parametra optimal të perspektives.
Një optimizëm, i cili vjen nga nga vetë përbërja e stafit të ri, i cili së bashku me skuadrën u prezantuan në ditën e parë stërvitore.
Klubi, i cili luan në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë, përmes presidentit Ermir Shimaj ka prezantuar stafin e ri teknik ku në detyrën e administratorit të klubit do ta jetë Fatmir Marku, ndërsa roli i drejtorit sportiv i është besuar italianit, Umberto Quistelli.
Në drejtimin teknik të skuadrës do të jetë trajneri i njohur Arbër Shytani i cili do të ketë në krah si zëvendëstrajner Rigers Xhahysa, ndërkohë që trajner i portierëve është Eldi Hasani.
Ndër të tjera, gjatë prezantimit, presidenti Shimaj shprehu keqardhjen që në këtë nisje të sezonit, Basania nuk i nisi përgatitjet në fushën e saj sportive të Bushatit dhe për këtë i kërkoi falje tifozërisë së zjarrtë të zonës që ka qënë i detyruar të zhvendoset në Kompleksin sportiv Zmijani deri në ndërhyrjen e premtuar FSHF-Qeverisje Vendore për ndërtimin e ministadiumit në Bushat.
Për presidentin bushatas Ermir Shimaj, bashkëpunimi me menaxherin e njohur Benardin Kulla, i cili vjen nga Italia së bashku me drejtorin sportive Umberto Quistelli, konsiderohet pozitiv për të ardhmen e Basanias.
Me një staf të tilla professional, për Basanian pritet të vijnë ditë të mira, ku më së shumtmi përqëndrimi do të jetë në përgatitjen dhe promovimin e futbollistëve të rinj për një treg të huaj, pa lënë kurrësesi mënjanë pretendimet për një paraqitje sa më dinjitoze në kampionatin kombëtar të kategorisë së dytë, ku këtë sezon, konkurimi në grupin A verior pritet të shumë i fortë.
(Video) Pamje nga prezantimi i stafit të ri të Basanias, si dhe prononcimet e presidentit Ermir Shimaj, drejtorit sportiv Umberto Quistelli, si dhe të trajnerit të parë Arbër Shytani, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


