Trajneri i Vllaznisë, Csaba Laszlo, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Dinamos, që do të luhet nesër në orën 18:30 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet në RTSH. Tekniku, që do të debutojë nesër në krye të shkodranëve, deklaron se është kaluar situata e vështirë në klub dhe se ndaj Dinamos synohet fitorja.
“Çdo ndeshje është e rëndësishme. U përballëm me problemin, por u gjet zgjidhja. Dje kishte stërvitje. Problemet janë gjithmonë aty, më e rëndësishmja që të ketë zgjidhje. Ne patëm zgjidhje dhe klubi po ashtu. Ata u rikthyen në stërvitje dhe ne do të përballemi me një kundërshtar shumë të vështirë. Çdo kundërshtar është i vështirë, ne nuk jemi favoritët, por jo gjithmonë e fitojnë ndeshjen ata që janë favoritë.
Psikologjia më e mirë është nëse fiton në fund ndeshjen. Ne po përgatitemi të marrim pikë, të fitojmë çdo ndeshje, e di se nuk mund të fitojmë çdo ndeshje, por të marrim më të mirën dhe të rritemi në tabelën e klasifikimit.
Vllaznia? Ndonjëherë merr vendime të pazakonta. Duhet të tregoj historinë për këtë klub. Erdha dhe takova presidentin, pata ndjesinë që është një njeri i sinqertë që do diçka më mirë. I thashë: ‘Po, e bëjmë punën’. Shkova në shtëpi dhe i thashë gruas sime dhe po më pyeste si ju. I thashë: ‘Është thjesht një ndjesi dhe vendosa. Do e bëj deri në fund të sezonit dhe dua ta shoh këtë klub që të mos bie nga kategoria. Kam besimin që do arrijmë objektivat.
Kundërshtari më i madh për momentin është koha. Nëse bën ndryshime, duhet që lojtarët të kuptojnë në mënyrën e duhur. Kemi bërë ndryshime dhe nga ana taktike, por edhe personale. Objektivi ynë kryesor ishte që të stabilizohej mbrojtja.
Çdo pikë na ndihmon. Por të jem i sinqertë, ndeshje në shtëpi dhe derbi pavarësisht se jemi në vend të fundit, për mua kryesore është fitorja. Këtë dua. Se si do të shkojë loja, duhet të reagojmë. Ndoshta në fund të ndeshjes mund të them se jam i lumtur me 1 pikë, por në krahun tjetër shkojmë vetëm për fitoren. Po ashtu edhe ekipi kundërshtar do mendojë të njëjtën gjë”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Vllaznisë.
(Video) Prononcimin e plotw të trajnerit hungazez të Vllaznisë, Csaba Laszlo, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.


