Thursday, May 2, 2024

(Video) Shkodra nderon Ramazan Rragamin! Legjenda e futbollit shqiptar përkujtohet me një ceremoni emocionuese, mes figurave sportive, drejtuesve lokalë dhe qëndror, familjes, etj

Lexo

E diela e 15 janarit 2023 në qytetin verior të Shkodrës, ishte e tëra e rezervuar në nderim të figurës së madhe të futbollit shqiptar, shkodranit të mirënjohur, Ramazan Ragami. I ndarë nga jeta një vitë më parë, legjenda e futbollit shqiptar, është përkujtuar përmes një programi të hartuar nga organizatorët i quajtur “Flasim dhe luajmë për Zanin”.

Nën monitorimin e gazetarit të mirënjohur të RTSH-së, Dëfrim Methasani, të cilit, familja Rragami që ishte organizatorja kryesore e këtij aktiviteti, të ftuarit e shumtë nga Shkodra si dhe rrethet e tjera të Shqipërisë, janë pritur në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.

Pasi kanë shijuar fotoekspozitën me momentet më kryesore të jetës dhe karrieres sportive të Ramazan Rragamit, të pranishmit kanë pasur rastin të ndjekin dokumentarin sportiv shumë interesant përgatitur nga gazetari Methasani, ku përmes bisedes së realizuar përpara ndarjes nga jeta me Rragamin, evidentohej karriera e pasur sportive, si futbollist, trajner dhe drejtues i sportit në Shkodër dhe FSHF.

Emocionuese kanë qënë edhe përshëndetjet e rastit të ardhura nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i cili krahas vlerësimeve për figurën madhështore të mjeshtrit Rragami, bëri me dije se ka pasur fatin ta ketë edhe trajner në rininë e tij. Në respekt të kësaj figure të spikatur të Shkodrës dhe më gjërë, bëri me dije se ka propozuar Këshillit Bashkiak të Shkodrës, që sheshi përpara stadiumit “Loro Boriçi”, të marr emrin “Ramazan Rragami”. “Ky është një vlerësim dhe që ja bëjmë sportit dhe ikonave të tij në Shkodër duke patur ky shesh emrin e kësaj figure sportive dhe jo vetëm. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, u shpreh kryebashkiaku shkodran Bardh Spahia.

Në vijim, kanë ardhur përshëndetjet e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, presidentit të KF Teuta, Edmond Hasanbelliu, presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, Petraq Konomi, bashkëtrajner i suksesshëm me Ramazan Rragamin në drejtimin e kombëtares Shpresa, dy vellëzërit kampionë nga Elbasani, Mihal dhe Dhimitër Gjika, dinamoviti Eljaz Çeço, kryetari i shoqatës së gazetarëve sportivë të Kosovës, Edmond Thaçi, i cili nga ana e tij i dorëzoi vajzës së Ramazan Rragamit një fanelë të kombëtares së Kosovës me numrin 5 dhe e personalizuar me emrin e tij, mjeku veteran sportiv i KF Vllaznia, Zyhdi Çoba. Më pas ishte radha e gazetarëve sportiv të Shkodrës, Gaspër Marku, Gjergj Kola, Senad Nikshiqi, Klodian Zhivani, përfshirë edhe komentatorin e njohur sportive, Rrok Preçi, të cilët, ashtu si edhe parafolësit, sollën kujtime nga njohja, vlerat dhe bashkëpunimet që kanë pasur në vite me Rragamin e madh.

Në mbyllje, monitoruesi i takimit, Dëfrim Methasani, do të ftonte në podium pjesëtarë të familjes Rragami, bashkëshorten e të madhit Ramazan Rragami, zonjën Behije Rragami, edhe kjo një sportiste e njohur në vite si atlete e Vllaznisë. Pasi foli në përgjithësi për jeten e çiftit sportiv bashkëshortor, zonja Rragami, përpos vlerave sportive të evidentuara nga të gjithë pjesëmarrësit, u ndal edhe ana njerëzore të ndjerit Ramazan Rragami, si një prind dhe familjar model në të gjitha aspektet. Ndërkohë, në emër edhe të familjes Rragami, zonja Behije, falenderoi dhe shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit që nderuan figurën e bashkëshortit të saj në këtë takim përkujtimor.

Një përshëndetje falenderuese në emër të familjes erdhi edhe Tan Xhaferi, dhëndërri i familjes Rragami, i cili ishte edhe organizatori kryesor i kësaj dite përkujtimore për figurën e lavdishme të futbollit shqiptar, Ramazan Rragami.

Më pas, sipas programit të aktivitetit, vemendja është përqëndruar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, vetëm pak metra larg stadiumit “Loro Boriçi”, aty ku përmes një aktiviteti sportiv është organizuar Kupa “Ramazan Rragami” me pjesëmarrjen e katër ekipeve.

Sipas shortit, në takimin e parë, janë ndeshur ekipi i gazetarëve të Kosovës me ato të TV Klan, ku fitues dhe kualifikues në finale ishte ekipi i gazetarëve të TV Klan. Ndërkohë, në gjysëmfinalen e dytë, ekipi i gazetarëve të Shkodrës ka mundur ekipin e ish futbollistëve të dalë nga drejtimi i professor Rragamit. Finalja mes ekipit të gazetarëve të Shkodrës dhe TV Klan, u mbyll me rezultatin 2 me 1 në favor të gazetarëve shkodranë, të cilët u shpallë fitues të trofeut, “Ramazan Rragami”.

Dita përkujtimore në nderim të figurës së mirënjohur të Ramazan Rragamit, është mbyllur me një drekë të shtruar për nder të pranishmëve, ish kolegëve të fushës së lojës dhe të stafit të trajningut, veteranë të futbollit, gazetarë sportive, miq dhe të afërm të familjes “Rragami”.

(Video) Takimin e plotë përkujtimor në video kushtuar legjendës së futbollit shqiptar, Ramazan Rragami, mund ta ndiqni në YOUTUBE-kanali ynë Veriu Sport

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img