Gjashtë fitoret radhazi të Vllaznisë, e kanë pozicionuar skuadrën kuqeblu në vendin e tretë të kampionatit Abissnet Superiore dhe në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë duke u shfaqur me të drejtë si pretendente serioze për fitimin e dy trofeve kombëtarë
Një gjë e tillë ka rritur ndjeshëm interesin e tifozërisë shkodrane për ta mbështetur skuadrën e tyre në ecurinë e rezultateve pozitive duke shpresuar dhe besuar se ky është sezoni i duhur futbollistik që Vllaznia e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani të gëzojë fansat e saj me titullin e shumëpritur kampion.
Pasditja e së dielës ka rezervuar për stadiumin “Loro Boriçi” një superndeshje, atë Vllaznia-Partizani, e vlefshme për javën e 21-të të Abissnet Superiore. Sfidë të cilën shkodranët po e presin me shumë interes.
Atmosferën e kësaj pragndeshje e përcjellë edhe mesazhi i grupimit të tifozëve të vjetër shkodranë, të cilët të entuziasmuar nga rezultatet pozitive dhe forma e mirë sportive që ka aktualisht skuadra kuqeblu, ftojnë të gjithë shkodranët të mbushin stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e së dielës, Vllaznia-Partizani,
Tut Rrahmani, Sandër Demaj, Muhamet Çekini, Xhevat Gjatoja, Çlirim Puka, janë një pjesë e këtij grupimi, të cilët ftojnë të gjithë tifozërinë kuqeblu dhe mnbarë komunitetin shkodran për të mbështetur skuadrën kuqeblu në një fitore ndaj rivalit të vendit të dytë në renditjen e Superiores.
(Video) Grupimi i tifozëve të vjetër shkodran, flet në pragndeshjen, Vllaznia-Partizani, të dielën, ora 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.