Saturday, April 27, 2024

(Video) Trajneri Plori nis punën me Vllazninë U-21. Sot seanca e parë stërvitore, 22 futbollistë në dispozicion. I pranishëm edhe Lenjani…

Lexo

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Vllaznia U-21 ka nisur sot punën për sezonin e ri futbollistik 2022-2023. E veçanta e kësaj seance të parë ka q         ënë prania e trajnerit Elvis Plori, i cili me një vendim të fundit të drejtuesve të KF Vllaznia ka zëvendësuar trajnerin e mëparshëm, anglezin Deano Sibson, i larguar në mbyllje të sezonit të kaluar.

Në krah të teknikut Plori, i cili deri në javët e fundit të sezonit të kaluar ishte pjesë e ekipit të parë ka qënë kolegu i tij, Ergi Borshi, i cili ashtu si edhe vitin e kaluar, edhe për këtë sezon sportiv do të vijojë të mbajë postin e zv.trajnerit të 21 vjeçarëve të Vllaznisë.

Në kontigjentin prej 22 futbollistëve që ishin të pranishëm në këtë seancë të parë, është parë të jetë edhe Ermir Lenjani, kosovari i kombëtares, për të cilin drejtuesit sqaruan se duke qënë se po ndjek kursin e FSHF-së për trajner që po zhvillohet në Shkodër, ka kërkuar të jetë me grupin kuqeblu për të mbajtur formën sportive.

Sa i përket grupit të futbollistëve shkodranë, krahas kontigjentit të 21 vjeçarëve të sezonit të kaluar, binin sy futbollistë nga ekipet e Akademisë Vllaznia U-17 dhe U-19, por edhe nga ekipet e tjera private të Shkodrës.

Përpara fillimit të seancës, trajneri Plori i ka folur skuadrës përreth  10-15 minuta, ku ndër të tjera u ka kërkuar futbollistëve përkushtim maksimal në proçesin stërvitor duke i kujtuar se prania në këtë skuadër është një mundësi shumë e mirë trampolini për të kaluar në skuadrën e parë e më tej.

Nga sa bëhet e ditur, dy javët e para të proçesit stërvitor do të jenë në një farë mënyrë seanca testuese me qëllim përzgjedhjen e elementit më cilësor, të cilët më pas edhe do të federohen për llogari të KF Vllaznia. Ndërkohë, në vijim do të ketë një fazë përgatitore të mirëfilltë për të qënë gati në startin  e sezonit të ri sportiv.

Në kohën kur skuadrën U-21 e drejtonte anglezi Sibson kishte një bashkëpunim të mirëfilltë me skuadrën e parë në stafin e së cilës ishte edhe trajneri Plori, ndërkohë tani që vetë trajneri Plori është në drejtim të 21 vjeçarëve, bashkëpunimi me trajnerin e ekipit të parë Mirel Josa pritet të jetë edhe më i mirë. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga drejtuesit e klubit, të cilët pranojnë se krahas të tjerave, trajneri Plori do të ketë detyrën edhe të promovimit të elementëve cilësorë nga skuadra e tij dhe Akademia Vllaznia në përgjithësi.

Gaspër MARKU

(Video: Vllaznia U-21 në seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori)

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img