Me dy gola të shënuar nga Elbasani dhe Mehmetaj, Veleçiku i Koplikut ka mundur me rezultatin 2-0, Adën e Velipojës. Derbi shkodran i kategorisë së dytë, i luajtur në fushën sportive “Duli” të Koplikut për llogari të javës së 15-të të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë paraqiste interes të madh për të dyja skuadrat.
Koplikasit e drejtuar nga trajneri Dritan Smajlaj, kërkonin fitoren për të vijuar në objektivin e tyre drejt kualifikimit në kategorinë e parë, ndërkohë që velipojakët të drejtuar nga trajneri Florian Frroku, aktualisht të fundit në tabelën e klasifikimit, janë në rrezik serioz për rënien një kategori më poshtë, atë të tretën.
Kanë triumfuar vendasit, të cilët tashmë me 30 pikët e grumbulluara renditen në vendin e katërt me pikë të barabarta me Valbonën e vendit të tretë, ndërkohë që në krye është Vora me 35 pikë e ndjekur nga Sopoti me 31 pikë.
Për trajnerin koplikas, Dritan Smajlaj, fitorja ndaj Adës ishte e merituar, madje, me rstet e krijuara, mund të ishte edhe më e thellë, ndërkohë që pati rezerva për gjykimin.
Për javën e ardhshme, atë të 16-tën, kalendari rezervon një deri tjetër shkodran shumë interesant, atë Ada-Murlani, takim që do të luhet ditën e shtunë në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës.
(Video) Pamje nga ndeshja, Veleçiku-Ada, 2-0, si dhe pronocimi i trajnerit Smajlaj pas ndeshjes.