Stadiumi “Reshit Rusi” i Shkodrës pret nesër derbin Verior, Vllaznia B-Tërbuni, i vlefshëm për javën e parë të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së dytë, grupi A.
Dueli, i cili nis në orën 16:00 pritet të dhurojë një ndeshje shumë interesante, për vetë faktin se përballë është Vllaznia B, debutuese e ardhur si kampione e kategorisë së tretë dhe me ambicje për të ecur më tej, drejt kualifikimit në kategorinë e parë dhe Tërbunin e Pukës, i cili këtë sezon vjen me një pamje krejt tjetër, që nga pankima dhe lojtarë të tjerë të formacionit të parë.
Veriu Sport, ndoqi nga afër seancën e fundit stërvitore të kuqebluve të zhvilluar në stadiumin “Reshit Rusi”, ku dyshja e trajnerëve të Vllaznisë B, Brikeno Bizi dhe Ersi Çaku, finalizuan strategjinë që skuadra do të shfaqë nesër në fushën e lojës ndaj Tërbunit të Pukës.
Për zv.trajnerin Ersi Çaku, Vllaznia B kërkon ta nis me fitore kampionatin, dhe me këtë ritëm të ecë më pas duke pasur në objektiv kualifikimin në kategorinë e parë.
Krahas prononcimit për Vllazninë B, si një analist i mirëfilltë futbolli, Ersi Çaku flet edhe për ekipin e parë, për pragndeshjen Laçi-Vllaznia, takim që luhet të dielën prej orës 16:00 në stadiumin e Laçit, i vlefshëm për javën e katërt të Abissnet Superiore.
Sipas tij, Vllaznia e Martinit duhet të ketë nxjerrë mësimet e duhura nga tre ndeshjet e para ku mori vetëm dy pikë dhe në ndeshjen ndaj Laçit të marrë fitoren e parë për të ecur me hap pozitiv në javët e ardhshme.
(Video) Pamje nga seanca stërvitore e Vllaznisë B zhvilluar paraditen e së premtes, e fundit para ndeshjes zyrtare me Tërbunin, si dhe prononcimin e zv.trajnerit Ersi Çaku, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


