Tuesday, April 16, 2024

(Video) Vllaznia në përgatitoren pogradecare. Kuqeblutë vëzhgohen prej së afërmi nga drejtuesit Xhaferi dhe Dibra

Lexo

Vllaznia ka që të dielën që është spostuar në qytetin e Pogradecit, ndërsa dje zhvilloi dy seancat e para në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, fillimisht në paradite në 09:00 dhe pasdite në 18:00. Përgatitje këto që po ndiqen prej së afërmi edhe nga dy drejtuesit më të lartë të klubit kuqeblu, presidenti Alban Xhaferi dhe sekretari i klubit, Blendi Dibra. Axhenda e kuqebluve është të qëndrojnë deri të dielën në qytetin liqenor, ndërsa kanë parashikuar të zhvillojnë edhe dy ndeshje miqësore. E para do të luhet nesër ndaj Dinamos, ndërsa e dyta në fundjavë me Skënderbeun. “Panorama Sport” asistoi në seancës e pasdites së Vllaznisë, teksa fushën e stadiumit të Pogradecit sapo e kishte lënë Dinamo.

MBËRRITJA DHE TAKIMET

 – Rreth orës 17:45 shfaqet autobusi i shkodranëve para stadiumit. Lojtarët zbresin njëri pas tjetrit dhe në momentin që futen në fushë, aty gjejnë Dinamon që sapo kishte përfunduar seancën. Në këto momente pati përqafime dhe biseda të përzemërta mes kapitenit Erdenis Gurishta dhe mbrojtësit të bluve, Eni Imami, i cili ka luajtur dy sezone më parë me Vllazninë.

Jo vetëm këta të dy shkëmbyen përqafime dhe biseda, por edhe trajnerët Mirel Josa dhe Nevil Dede, ku nuk munguan të qeshurat.

Në një moment, Josës i afrohet mesfushori i Dinamos, Sabjen Lilaj, teksa e takon me dashamirësi dhe shkëmben një batutë, duke kujtuar kohët kur të dy ishin pjesë e Skënderbeut të artë. Ndërkohë, ajo që befason në këtë moment shkodranët është biçikleta e Dedes. Trajneri i bluve kishte zgjedhur që të bënte rrugën nga stadiumi dhe deri te hoteli ku qëndron Dinamo në Tushemisht me biçikletë dhe jo me autobusin e klubit. Bëhet fjalë për një rrugë prej 5 kilometrash.

STËRVITJA DHE STAFI

 Lojtarët e Vllaznisë fillojnë të xhonglojnë topin në harmoni, të ndarë në grupe me nga 5-6 vetë dhe njëkohësisht duke shkëmbyer ndonjë batutë. Josa fillon merret me punëtorët e bazës materiale, duke i kërkuar të vendosin piketat, portat e vogla dhe çdo gjë tjetër. Trajneri fillon edhe vetë të bëjë matje për vendosjen e piketave. Në momentin që Josa mbaron këtë punë, i drejtohet të tijve për të filluar zyrtarisht seancën. Nga ky çast nis të mbizotërojë qetësia dhe të dëgjohet vetëm përplasja e takës me topin. Pas ushtrimeve me pasime dhe zëvendësimeve të pozicionimit mes lojtarëve, Josa urdhëron të zhvillohet kuadrati 9 me 3, ku tre lojtarë vihen në mes për të kapur topin dhe njëkohësisht kërkon shpejtësi në veprime.

Shkodranët kanë një risi në staf, pasi bullgari Mihalil Tzokov, ka rolin e trajnerit të kondicionimit, që ka të bëjë me rregullimin e frymëmarrjes së lojtarëve dhe gjendjes fizike të tyre. Pas kuadratit është zv.trajneri Auron Miloti që ndan skuadrën në dy grupe, duke thirrur emrat dhe në këtë moment fillon të zhvillohet një lojë në 40 metra gjatësi dhe me porta të vogla. Ndërkohë, portierët stërviten me trajnerin e tyre, Lekiqi, në një zonë tjetër të fushës.

PRESIDENTI DHE NDESHJA

 Rreth orës 19:00 në stadium shfaqet presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Tepër modest, ai shihet i përfshirë në një bisedë me një nga punëtorët e stadiumit të Pogradecit. Në momentin e lojës në 40 metra gjerësi në fushë dhe me porta të vogla, Josa dëgjohet të thotë shumë herë: “bravo, bravo”. Mirëpo, nuk kursehet as që të ndalojë lojën dhe të kërkojë rivendosjen e lojtarëve. Trajneri shkodran duket se është njohës i mirë i dy gjuhëve të huaja, anglisht dhe sllavisht. Këtë të fundit u dëgjua ta përdorte me Bulatoviçin, Juriçin, Heriçin dhe gjithashtu me shqiptarin nga Mali i Zi, Vulaj.

Pas minindeshjes me porta të vogla, zhvillohet një minindeshje në gjysmëfushë me porta të mëdha, ku seancën e udhëheq Vioresin Sinani, i cili jep këshilla dhe mban kronometrin. Dëgjohet edhe Josa nga krahu tjetër, që i ulur në stol, vijon të japë këshilla. Rreth orës 19:30, Josa mbyll seancën e pasdites, ku u kërkon të tijve të zhvendosin portën e lëvizshme.

Redi Dandallaku

(Video: Pamje nga seanca stërvitore e Vllaznisë në stadiumin e Pogradecit)

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img