Saturday, July 27, 2024

(Video) Volejboll Femra-Kupa e Shqipërisë/Vllaznia fiton 3 me 2 ndaj Teutës, por mbetet jashtë finaleve

Lexo

Vllaznia-Teuta  3-2(25-20, 25-22, 21-25, 23-25, 15-13)

Vllaznia dhe Teuta në volejboll për femra u ndeshën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës në kudrin e javës së katërt të Kupës së Shqipërisë. Ndonëse sfida në fjalë ishte pa interes sa i përket kualifikimit në grup, pasi dy ekipet kryesuese të grupit B, Tirana dhe Partizani, e kanë siguruar kualifikimin në fazën finale, Vllaznisë dhe Teuta, zhvilluan një ndeshje plot rivalitet.

Në setin e parë, volejbollistet shkodrane të drejtuara nga trajnerja e tyre Nora Deda fitojnë me rezultatin 25 me 20.  Teksa e mbyllë edhe setin e dytë me fitore me shifrat 25-22, duket se Vllaznia po shkonte drejt një fitore të pastër, 3 me 0.

Por, vajzat durrsake të drejtuara nga trajneri i tyre Edmond Jazegji nuk dorëzohen dhe duke e mbyllur setin e tretë me rezultatin 21 me 25, kërkojnë të rihapin ndeshjen. Me ndërrimin e fushave, seti i katërt nis me avantazhin e Vllaznisë, e cila kërkon tashmë fitoren, 3 me 1.

Por, nuk ndodh kështu, sepse mikeshat nga Durrësi, duke përfituar edhe nga disa gabime elementare të skuadrës kuqeblu në tërësi e fitojnë edhe setin e katërt me shifrat e ngushta, 23 me 25. Barazim me sete, 2 me 2, dhe për të përcaktuar ekipin fitues duhet të luhet seti i pestë, seti final final që përcakton fituesin e krejt ndeshjes.

Rivaliteti dhe emocionet vijojnë edhe në setin e pestë deri tek pika e 13-të, por në çastet e fundit, vijnë dy pikë radhazi të vajzave kuqeblu duke e mbyllur setin final me shifrat 15 me 13 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm me sete, 3 me 2.

Gjithësesi, kjo ishte një fitore prestigji për Vllazninë, pasi humbjet në ndeshjet e mëparshme e kanë lënë prapa në pikëzim, duke pranuar eleminimin nga kompeticioni i Kupës së Shqipërisë.

Pas ndeshjeve të javës së katërt, Tirana kryeson grupin B me 11 pikë, Partizani me 10, Vllaznia është e trteta me 5 pikë dhe në fund Teuta 1 pikë.

(Video) Kupa e Shqipërisë në volejboll femra. Vllaznia-Teuta, 3-2, Java e katërt. 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img