Quhet Omer Lekaj, më 28 gusht ka mbushur 12 vjeç, por falë talentit që po shfaq në fushën e lojës ka tërhequr vemendjen e specialistëve të futbollit gjerman, teksa po bën një paraqitje të shkëlqyer në kampionatin e grupmoshave në Dortmund, atje ku jeton me familjen tij gjatë viteve të fundit.
I lindur në një familje me tradita sportive, me të mirënjohurin Hajrullah Lekaj, për të vazhduar me Senadin, Ilir dhe Arbenin, ky i fundit babai i Omerit, pasi bazat e para i mori në me ekipet e moshave të akademive Atlerik Klub Shkodra dhe Scutari, talenti shkodran duket që do të ketë një ecuri pozitive në futbollin gjerman.
Dhe, statistikat e tij janë mbresëlënëse: 3 ndeshje dhe 9 gola. Në një ndeshje prej 60 minutash, ai arrin të përshkojë rreth 7.8–8.3 kilometra, duke treguar një ritëm dhe angazhim të madh gjatë gjithë lojës.
Edhe pse është ende shumë i ri, Omeri po tregon një dëshirë të madhe për t’u zhvilluar si futbollist. Ai stërvitet rreth 3 orë çdo ditë, edhe në kushte të vështira të motit, dhe vazhdon të punojë pa u ndalur për ëndrrën e tij.
Objektivi i Omerit është që të rritet sa më shumë nga ana profesionale Por, për Omerin, futbolli nuk është vetëm statistika. Ëndrra e tij është një ditë të veshë fanellën e Kombëtares Shqiptare. Çdo stërvitje, çdo ndeshje dhe çdo gol janë pjesë e rrugëtimit të tij drejt kësaj ëndrre.
Nga Shkodra drejt Gjermanisë, Omeri vazhdon të punojë, të mësojë dhe të ëndërrojë. Koha do të tregojë se ku do ta çojë kjo rrugë, por një gjë është e sigurt: dëshira për futbollin nuk i mungon.
Gaspër MARKU


