Friday, April 26, 2024

Vllazni fantastike! Skuadra kuqeblu eleminon hungarezet e Ferencvarosh me penallti, 3 me 1. “Heroina” e ndeshjes, portjerja spanjolle, Anna James Buhigas, e cila pret dy penallti duke kualifikuar skuadrën kuqeblu në 32 më të mirat e Europës.

Lexo

Një natë fantastike, kjo e së premtes së 20 gushtit 2021. Kampionia e Shqipërisë në futboll për femra, Vllaznia e Shkodrës ka bërë krenar, jo vetëm tifozërinë kuqeblu dhe mbarë komunitetin e qytetit verior, por një Shqipëri të tërë dhe më tej, me atë fitore emocionuese, dramatike dhe shumë të rëndësishme ndaj skuadrës hungareze, Ferencvarosh.

Ndeshja

Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka e nisi mirë takimin, por me kalimin e minutave, hungarezet morën iniciativen duke patur një epërsi të lehtë në fushën e lojës. Vllaznia reagon shpejt dhe e barazpeshon lojën duke e mbyllur pjesën e parë në barazim 0-0.

Pjesa e dytë

Prania dhe morali i dhënë nga presidenti kuqeblu, Lazër Matija në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, si dhe orientimet teknike dhe taktike të trajnerit Nikolin Leka, bëjnë që në 45 minutat e dyta të shfaqet një Vllazni krejt tjetër. Tashmë epërsia është tërësisht në anën e Vllaznisë, e cila duke e shpërngulur lojën në gjysëmfushën hungareze regjistron raste të njëpasnjëshme shënimi, por goli nuk del në dritë.

Shtesa

0 me 0 mbyllet koha e rregullt prej 90-të minutash, dhe për të mësuar ekipin kualifikues për në turin e dytë, duhet të luhet edhe shtesa 2 herë nga 15 minuta. Barazim 0-0 shtesa e parë, edhe në të dytën shifrat nuk ndryshojë. 120 minuta dramatike, në të cilat Vllaznia ishte më ngulmuese për të gjetur golin e fitores. Por, kurrësesi nuk duhet harruar se pikërisht në sekondat e fundit të mbylljes së krejt ndeshjes, porta kuqeblu ishte seriozisht në rrezik, dhe nëse nuk pësohet gol, merita është e gardianes kuqeblu, spanjolles Anna James Buhigas, e cila grushton një top që ishte adresuar për në rrjetë.

Penalltitë

Gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë ishin ato që vendosen fatin e skuadrës kualifikuese përmes një emocioni të vertetë dhe drithërues që shoqëroi momentet e goditjes së njëmbëdhjetëmetërshave. Shorti vendos që të parat duhet të godasin hungarezet. Gardiania e Vllaznisë, Anna James Buhigas, zhytet djathtas duke pritur penalltinë e parë. Luçie Gjini është e saktë në goditje, 0-1 për Vllazninë, që është rritur shumë moralisht. Në gjuajtjet e dyta, shënojnë hungarezet, shënon edhe kapitenia Esmeralda Franja për kuqeblutë, 1 me 2 për Vllazninë. Në goditjet e treta, hungarezet gabojnë sërishmi duke goditur jashtë, ndërkohë që shqiptarja e Kosovës, Gresa Berisha, e dërgon topin direkt e në rrjetë.

1 me 3 për Vllazninë pas gjuajtjeve të treta. Spanjollja e Vllaznisë shfaqet fantastike kur pret përsëri gjuajtjen e katërt të Ferencvarosh, këtë radhë nga krahu i majtë. Me këtë pritje të portjeres kuqeblu nuk ka nevojë më të gjuhen penalltitë e tjera. Rezultati 1 me 3 për Vllazninë e kualifikon skuadrën kuqeblu, e cila shpërthen në festën e saj të ligjshme.

Futbollisteve në fushën e lojës i janë bashkuar edhe ato të stolit, trajnerët Nikolin Leka dhe Fabiol Rexhepi, presidenti Lazër Matija, fizioterapisti Arben Mlloja, ndërkohë që në fushë shfaqen edhe dyshja e FSHF-së, trajneri i kombëtares së futbollit për femra, Armir Grima dhe përgjegjësi i sektorit të futbollit të femrave, Florian Riza, presidenti i Adës së Velipojes, Alfred Pjetri, nje koleg vite më parë me zotin Matija, etj, duke festuar të gjithë së bashku një sukses të merituar të Vllaznisë. Kalimin në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës për të vijuar më tej garën në 32 skuadrat më të mira europiane. Një sukses ky, që nga skuadrat shqiptare, vetëm Vllaznia e Shkodrës e arrin për herë të dytë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img