Monday, July 15, 2024

Vllaznia me staf të kompletuar, Xhoen Tugu merr detyrën e video-analistit të klubit kuqeblu

Lexo

Alban Xhaferi duket se e ka seriozisht angazhimin në krye të klubit Vllaznia. Sponsori që është në pritje të marrjes zyrtare të postit të presidentit si pronar i vitëm klubit kuqeblu, vazhdon të bëjë lëvizje të goditura, jo vetem në blerjen e futbollistëve, por edhe të kompletimit të stafit me elementin e duhur.

Dy lëvizjet e fundit, ajo e djeshmja me ardhjen e ish futbollistit shkodran, Auron Miloti në detyrën e Skautit të klubit, si dhe kjo e sotmja kur është firmosur edhe me Xhoen Tugun, i cili do të luajë rolin e video-analistit të klubit kuqeblu, e tregojnë më së miri një gjë të tillë.

“KF Vllaznia dëshiron të njoftojë të gjithë publikun se që prej ditës së sotme, pjesë e stafit të ekipit të parë do të jetë edhe Xhoen Tugu. Ai do të kryejë rolin e video- analistit, profesion ky që po bëhet gjithmonë e më shumë i rëndësishëm për stafin e një klubi në futbollin modern. Dhe si rrjedhojë, klubi jonë ka zgjedhur të bashkëpunojë me z.Tugu i cili ka marrë edhe liçensën përkatëse nga FSHF dhe tashmë do të jetë krahu i djathtë i trajnerit Brdariç dhe pjestarëve të tjerë të stafit të ekipit të parë.

Mirë se erdhe në familjen tonë të madhe Xhoen Tugu!”, thuhet në postimin zyrtar që klubi kuqeblu ka përcjellë në rrjetet sociale.

Kush është Xhoen Tugu?

Xhoen Tugu, 22 vjeç, është shpallur ndër katër Video Analistët më të mirë në kursin e licensimit të Federatës Shqiptare të Futbollit që u zhvillua në prill të 2021, drejtuar nga Alarico Rossi, Shef i Analizës, Skautizimit dhe Inovacionit në FSHF.

Pjesemarrës në shumë panele televizive gjatë Kampionatit Europian të Futbollit, Euro 2020. Diplomuar për Administrim Biznes në Universitetin Epoka, ka ushtruar futbollin dhe basketbollin për 10 vite. Pasionin për futbollin e ka zhvilluar që fëmijë, me interes të veçantë në menaxhimin e tij, skuadrave, lojtarëve dhe analizën profesionale të lojës dhe strategjinë e trajnerëve në drejtimin e skuadrës.

Kthehet në Shkodër, në origjinën e nënës së tij, gazetares dhe drejtueses shumë të njohur të institucioneve të rëndësishme, Arlinda Çausholli, me shumë pasion për të kontribuar më sa mundet për Vllazninë e me shumë dashuri për qytetin, ku i përket gjysma e vet.

Xhoen Tugu, është video analisti që do të jetë përkrah stafit teknik të Vllaznisë,  për një sy më tepër në analizat ndaj secilës ndeshje të Vllaznisë dhe kundërshtarëve të saj në sezonin e ri futbollistik 2021-2022.

Emocionet e Arlindes, tifozes së Vllaznisë, për të birin, videoanalistin e ri të kuqebluve

“Unë ta njoh shumë mirë pasionin për futbollin, për lojën, për vullnetin në fushë, për mënyrën e zgjedhjeve të zgjuara të trajnerit dhe mesazhin njerezor që futbolli jep dhe ti e ndan përherë. Të njoh deri në palcë, për dashninë që ke për njerëzit, për kurajon, përgjegjësinë dhe korrektesën. E di që do japësh maksimumin dhe do bëhesh ai që ke mendu që 8 vjeç.

Shkodra ka një filiz nëpër gene që rrin gjithmonë i ri ndër breza, dhe ti je drita më e bukur që këtë filiz mund ta ndriçojë, për hatër të stërgjyshëve që kanë ndjek Vllazninë kudo dhe e kanë mbajt të palosun flamurin nëpër sirtare, dhe e valvitnin çdo të dielë. Uroj Vllaznia ta përqafojë kupën këtë sezon bashkë me ty, kurse unë jam përqafu nga Zoti që ditën që të kam mbajtë në krahë, si pjesa më e bukur e imja dhe e gjithë botës që unë kam.

Je diell në jetët tona.

Suksese Xhoen. Suksese Vllaznisë.”, shkruan plot emocione Arlinda Çausholli, nëna e Xhoenit, pasi ka mësuar se djali i saj ka marrë detyrën e video-analistit të Vllaznisë

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img