Friday, October 11, 2024

Vllaznia U-19, starton përgatitjet e vitit 2021.Trajneri Zmijani kërkon dy trofetë e këtij sezoni

Lexo

Edhe pse ditë e diel, dhe data shënon vetëm 3 Janar, ekipi i Vllaznisë U-19 nën drejtimin e trajnerëve Luan Zmijani dhe Gjon Kola ka zhvilluar në orët e paradites seancën e parë stërvitore për vitin 2021. Një rast ky për t’u vlerësuar kur skuadrat e tjera pritet ta fillojnë një proçes të tillë me fillimin e javës së re. Kujtojmë se skuadra në fjalë në përfundim të vitit 2020 ishte e para në tabelën e klasifikimit duke u shpallur kampion të dimrit.

Dhe, intervista me trajnerin e kësaj skuadre, Luan Zmijani fillon pikërisht me urimin e fitimit të titulli simbolik, “Kampion dimri”.

Faleminderit. Ishte një punë e gjatë, pothuajse gjysma e kampionatit duke përfshirë dhe ndërprerjen e kampionatit për pushimet e fundvitit, dhe ne e mbyllëm në vendin e parë.

Ka qenë një kampionat i vështirë. Cila nga skuadrat është konsideruar si më e forta dhe ndeshja më e bukur për ju?

Është e vërtetë që kampionati ka qenë shumë i ngjeshur sepse filloi dhe me vonesë për arsye të pandemisë. Si ndeshja më e fortë dhe më e bukur mund të veçoj atë me Shënkollin, po ashtu si më e bukura është edhe ajo më Tiranën dhe me Shkëndinë e Tiranës.

Kë shikoni si rival direkt për trofe këtë sezon?

Të them të drejtën, në krahasim me vitin e kaluar kampionati është shumë më i fortë. Pretendent për trofe është Shënkolli, Shkëndija e Tiranës por nuk mund të mos ketë dhe ndonjë skuadër te fortë nga grupi i Jugut sepse edhe ato marrin pjesë fuqishëm duke pasur parasysh që vitin e kaluar Apolonia u shpall kampione e Shqipërisë dhe për këtë fakt nuk duhen nënvlerësuar. Gjithsesi Shënkolli dhe Shkëndija e Tiranës janë dy skuadrat pretendente deri në fund.

Ndryshe nga skuadrat e tjera, sot me datë 3 Janar skuadra juaj është duke u stervitur.

Ne kemi menduar që ta fillojmë më herët për arsyen që djemtë nuk kanë angazhime me shkollën dhe kjo i shërben shumë skuadrës të futet sa më shpejt në ciklin javor duke filluar me një seancë stervitore në sallë force. Po ashtu në ditët në vazhdim do të vijojmë në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kjo është një ndihmesë e madhe për djemtë pasi sa më pak pushim aq më mirë është sepse kështu mund t’i befasojmë kundërshtarët në përformancat tona në vazhdimësi. Duke qenë se Kupa fillon me datën 10 ose 11 Janar dhe ky është një kompeticion shumë i rëndësishëm, ne duam të marrim pjesë me shumë seriozitet dhe pse jo ta rikthejmë Kupën e Shqipërise në Shkodër pas një viti pauze.

Është folur se bashkpunimi me ekipin e parë këtë sezon është më i mirë. Si do të jetë e ardhmja e sportistëve tuaj cilësor pasi keni një brez shumë të talentuar, pritet të kalojnë tek skuadra e parë?

Unë mendoj që kemi shumë elementë cilësor, por është shumë herët të flasim sepse puna e djemve dhe e jona bashkarisht është ajo që do ta vërtetojë më shumë. Bashkëpunimi me drejtuesit e ekipit të parë është në nivele të kënaqshme sepse janë të pranishëm në ndeshjet e forta dhe të rëndësishme të kampionatit tonë. Ato kanë një plan afatgjatë që duan të hedhin sytë dhe nga grupi jonë dhe mendoj që janë disa elementë që herë pas here edhe mund të afrohen në seancat stërvitore të ekipit të parë ku mund t’i shikojë trajneri më afër dhe shumë më mirë.

Mendoni se mund ta mbani titullin si Kampion Dimri deri në fund te sezonit pa anashkaluar dhe trofeun e Kupës së Shqipërisë?

Të dyja janë paralele pamvarsisht se kampionati është shumë më i rëndësishëm sepse na jep një biletë për të shkuar në Champions League ashtu siç e kemi bërë dhe herë tjera, por të them të drejtën më hyrjen e Champions League, interesat dhe lakmia për të kapur titullin kampion është shumë më ndryshe veçanërisht me ekipet që kanë president. Është e ditur se si tentojnë të hyjnë pasi është një merkato, një publicitet i madh për lojtarët e rinj që të marrin pjesë në Champions League-n e U19 dhe e për këtë arsye e kanë me shumë dëshirë gjithë këto ekipe. Por janë ato ekipe me president që mendojnë të hyjnë para atyre që me të vërtetë e meritojnë, besoj se kuptohet shumë mirë se çfarë dua të theksoj në këtë deklaratë që po bëj, por ama kjo nuk na ndalon ne që të punojmë fort dhe të rikthehemi edhe një herë tek titulli kampion. Do të kishte qenë një sukses i arritur që ti fitonim të dy titujt ashtu siç e kemi bërë para dy viteve. Unë shpresoj gjithmonë nëpërmjet punës, që të arrijmë këtë sukses.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img