Tuesday, April 16, 2024

Volejboll faza finale Play-Off, gjysëmfinalja e parë, Tirana-Vllaznia 3-1

Lexo

Kampionati Kombëtar i volejbollit për femra dhe meshkuj është futur në fazën e Play-Off që është edhe finale ku do të përcaktohen edhe ekipet kampione të sezonit sportiv 2020-2021. Pjesë e kësaj faze janë edhe ekipet e Vllaznisë për femra dhe meshkuj, të cilët pas ndeshjeve të dy fazave të para janë renditur në vendet e dyta në grupet e tyre përkatëse. Nisur nga ngjeshja e aktivitetit për arsye të pandemisë, për të përfunduar më herët se vitet e tjera, Federata Shqiptare e Volejbollit ka nisur që këtë fundjavë ndeshjet e fazës Play-Off.

Kështu, Vllaznia e femrave me trajnere Nora Deda, shorti i së cilës i ka rënë të ndeshet në gjysëmfinale me ekipin e Tiranës, ballafaqimin e parë e ka zhvilluar në kryeqytet. Një sfidë kjo e shoqëruar me një luftë të fortë sportive ku starti ishte më i mirë për volejbollistet kuqeblu të cilat fituan me rezultatin 21 me 25.

Tirana kundërpërgjigjet në setin e dytë duke e fituar atë me shifrat e ngushta 25-23 duke vënë kështu barazpeshën në sete 1 me 1. Seti i tretë ka qënë më i dobëti për Vllazninë, pasi e humbet atë me diferencë të madhe pikësh 25 me 12.

Volejbollistet shkodrane reflektojnë në setin e katërt duke prezantuar një formë të shkëlqyer sportive. Një set ky që mund të fitohej fare mirë nga Vllaznia, por pas disa barazimeve radhazi janë volejbollistet bardheblu që arrijnë të fitojnë me pikët shtesë 26-24 dhe të gjithë ndeshjen me rezultain 3 me 1.

Për të përcaktuar ekipin që kalon në finale do të luhet ndeshja e dytë mesjavën e ardhshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Në rast se Vllaznia arrin ta fitojë këtë ndeshje, atëherë do të duhet të luhet një ndeshje e tretë po në Tiranë për të përcaktuar ekipin që shkon në finale nga ky çift. Ndërkohë, nëse ekipi bardheblu fiton edhe në Shkodër, atëherë, sipas formulës së kampionatit, me dy fitore radhazi Tirana kualifikohet në finalen e fazës Play-Off.

Sa i përket ekipit të meshkujve të Vllaznisë me trajner Artan Kalaja, shorti e ka vënë që të ndeshet në gjysëmfinalen e fazës Play Off me ekipin e Partizanit dhe ballafaqimi i parë mes këtij çifit do të jetë pasditen e së shtunës në Tiranë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img