Wednesday, April 24, 2024

Volejbolli i femrave po kthehet në Shkodër! Vllaznia U20, pranë titullit kampion. Presidenti Zekja, optimist që sezonin e ardhshëm, Vllaznia të fitojë të gjitha trofetë

Lexo

Është thënë edhe më herët që në Shkodër po punohet me seriozitet për rritjen cilësore të volejbollit të femrave. Formimi i Shoqatës së Volejbollit Vllaznia u shoqërua me një riorganizim total, ku krahas ekipit të parë u ngritën të gjitha ekipet zinxhir. Skuadra e parë e drejtuar nga trajneri Dorian Tafa bëri një kampionat të mirë, ku edhe pse nuk mbërriti tek trofeu, vlerësimet nga ana e specialistëve të volejbollit, si dhe nga vetë publiku shkodran nuk munguan të jenë prezente.

Ndërkohë, krahas skuadrës U-16 me trajnerin Fatjet Haxhagiq që ka objektiv titullin, skuadra U-20 me trajner Ferdinand Bardeli është fare pranë titullit kampion. Më herët kjo skuadër fitoi Kupën Rinia, ndërkohë që të dielen kaloi me sukses takimin e parë final në Play Off duke mundur me rezultatin 3-0 Dinamon. Një ndeshje, ku vetem në setin e dytë pati rivalitet, pasi u mbyll me shifrat 26-24 në favor të skuadrës kuqeblu. Ndërkohë, në dy setet e tjerë, diferenca ishte e ndjeshme ndaj kundërshtarit, 25-17 dhe 25-13.

Me këtë fitore, por më tepër duke parë edhe dominimin në fushën e lojën që skuadra shkodrane demonstroi në takimin e parë, duket se Vllaznia do ta mbyllë çështjen e titullit edhe me një fitore tjetër të dytë të dielen e ardhshme në kryeqytet.

Sfidën e parë finale e ndoqi prej së afërmi edhe vete presidenti i Shoqatës së Volejbollit Vllaznia, Florian Zekja. I entuziasmuar nga paraqitja tejet e mirë e volejbollisteve shkodrane, ai shprehet i bindur se Vllaznia U-20 do të fitojë edhe në ndeshjen e dytë për të qënë ajo kampionia e Shqipërisë për këtë kategori moshe.

Ndërkohë, sa i takon së ardhmes, njëshi i presidences së volejbollit të femrave në Shkodër, është optimist që sezonin e ardhshëm, Vllaznia do të arrijë të bëjë të sajat tre trofetë kombëtar. Bëhet fjalë për ekipin e parë të të rriturave, atë U-20 dhe U-16.

Përpos elementit cilësor që ekipet e Vllaznisë kanë në dispozicion, optimizmi i Zekjes e ka bazën edhe tek stafi teknik, ku krahas treshes Tafa, Bardeli, Haxhagiq dhe koleges tjetër Ankela Cara, shoqata tashmë ka pjesë të saj edhe emrin e njohur të trajnimit të volejbollit shqiptar, Besnik Lisha.

Falë këtij stafi, por edhe një merkato të fuqishme që pritet të bëhet, përfshirë edhe rikthimin e disa volejbollisteve cilësore shkodrane që luajnë në ekipet e tjera, optimizmi dhe besimi i presidentit Zekja për fitimin sezonin e ardhshëm të tre trofeve kryesorë të volejbollit shqiptar nga ekipet e Vllaznisë, duket një objektiv i realizueshëm.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img