Sunday, April 28, 2024

Volejbolli shkodran në zi. Ndahet nga jeta në moshën 60 vjeçare ish volejbollisti dhe ish trajneri i Vllaznisë, Adrian Mikopula

Lexo

Më 2 mars të këtij viti, ish volejbollisti kampion, dhe më pas i suksesshëm edhe në detyrën e trajnerit Adrian Mikopula, kishte 60 vjetorin e tij të lindjes. Një përvjetor që e gjeti në një gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi një sëmundje e rëndë që e shqetësoi gjatë dy viteve të fundit, ia prishi jo pak komoditetin e jetës së tij.

Mes Italisë dhe Shqipërisë, ai iu nënshtrua kurave mjekësore duke mos dashur t’i dorëzohet sëmundjes. Por, që nga mbrëmja  e djeshme, Adriani nuk është më mes nesh. Rëndimi i situatës shëndetësore bëri që ai të ndërroj jetë në spitalin e Shkodrës.

Një humbje kjo e madhe për sportin shkodran dhe posaçërisht për volejbollin ku ai i shërbeu Vllazisë për shumë vite. Padyshim një humbje shumë e madhe për familjen e tij, për bashkëshorten si dhe vajzën e tij, Adma Mikopulën, e cila po vazhdon me shumë sukses traditën e volejbollit, me të cilin e lidhi pikërisht babai i saj, duke ia ushqyer pasionin për këtë sport që në fëmijëri, si dhe djalin e tij, Xhordanin që jeton prej disa vitesh në Itali.

Adrian Mikopula, ose Mikopli siç njihet më shumë në masën e tifozërisë shkodrane e filloi sportin e volejbollit falë përkujdesjes së trajnerëve të parë të tij në shkollën sportive të volejbollit, “Ndoc Mazi”, Flamur Agolli dhe Mehdi Temali. Ndërkohë, që kulmet e tij i mbërriti në ekipin e të rriturve në vitet 80-të ku nën drejtimin e trajnerit Mark Grimci, luajti përkrah një brezi të talentuar të volejbollit shkodran. Fillimisht të një grupi më të rritur se ai, si Irfan Boriçi dhe Irfan Domnori, Adrian Shiroka dhe Xhino Mjeda, për të vijuar më pas me emra të tjerë, si Mark Kroqi dhe Besnik Lisha, Gjon Çoba dhe Fatmir Gruda, Simon Guga dhe Adnan Boriçi, Frederik Trumza dhe Aleksander Leqejza së bashku me Bernard Shtyllarin e më pas edhe Artur Shtyllarin.

Një karriere e suksesshme si volejbollist që shoqërohet me fitimin e tre Kupave të Republikes, konkretisht në vitet 1985, 1988 dhe 1989, përfshirë këtu edhe Kupat e Federatës Shqiptare të Volejbollit, dhe disa herë titullin nënkampion i Shqipërisë.

Përvoja pozitive dhe pasioni i madh për volejbollin, bën që drejtuesit e Klubit Sportiv Vllaznia t’i besojnë detyrën e trajnerit, fillimisht me ekipin e të rejave, për të vijuar më pas me rriturat, si dhe ekipin e parë të meshkujve.

Adriani ndahet nga jeta fizikisht, por pas ka lënë një sërë kujtimesh shumë pozitive, jo vetëm në mjedisin sportiv, por edhe në mbarë komunitetin qytetar shkodran, në të cilin spikaste si një bashkëshort dhe prind shembullor i dy fëmijëve model, Xhordanin më të madh dhe Admen, talenten e volejbollit shkodran dhe atij shqiptar.

Mbiemri, Mikopula do të vazhdojnë të mbijetoj në volejbollin shkodran dhe atë shqiptar në përgjithësi, falë cilësive shumë të mira që vajza e tij, Adma Mikopula ka si volejbolliste e Vllaznisë dhe e kombëtares së Shqipërisë, ndërkohë që sezonin e kaluar fitoi disa trofe kombëtar dhe ndërkombëtar me ekipin e Skënderbeut të Korçës.

Portali Veriu Sport, i përcjellë ngushëllimet e sinqerta familjes Mikopula për humbjen e njeriut të tyre të afërm si dhe klubit Vllaznia për humbjen e një figure sportive të spikatur si volejbollist dhe trajner.

Pushofsh në paqe, shoku dhe miku im i kahershëm Adrian Mikopula, me të cilin na lidhi rruga e bukur e sportit! Për të gjithë të interesuarit, familja Mikopula bën me dije se ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të Adrianit bëhet ditën e martë në orën 12:00 nga salla mortore “Kolping” në qytetin e Shkodrës.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img