Saturday, July 27, 2024

Zmijani: “E kam theksuar, merkato nuk ka qenë ajo që duhet dhe e tillë doli. Duhet mesfushor që luan topin”

Lexo

Hysen Zmijani, ish futbollisti i Kombëtares dhe Vllaznisë, që mban titullin “Mjeshtër i Madh”, ka analizuar për “Panorama Sport” ecurinë e shkodranëve në këto dy faza kampionat. Ish-mbrojtësi ka qenë ndër të parët specialistë futbolli që në fillimin e këtij sezoni ka kritikuar merkaton e bërë nga Vllaznia dhe koha i ka dhënë të drejtë, pasi pa u mbyllur ende faza e dytë, klubi prishi kontratat me tre lojtarë (Dodev, Çeshmedjiev dhe Dragoshi). Zmijani ka theksuar se kësaj skuadre i mungon një mesfushor që luan mirë me topin, ndërsa beson se në fund, do ta mbyllin në katërshen e parë.

Zoti Zmijani, Vllaznia e mbylli vitin 2023 me një rezultat 5-0 kundër Skënderbeut, duke marrë fitoren e tretë radhazi. Si është shfaqur skuadra në këtë fazë të dytë?

Natyrisht që rezultatet e fundit dhe për më tepër tri fitoret radhazi, kanë bërë që optimizmi të rritet. Ishin rezultatet që i duheshin skuadrës. Ndoshta loja nuk ishte aty ku duhet dhe kjo nuk mund të thuhet pas një fitoreje 5-0 me Skënderbeun, por unë mendoj se më e mirë dhe më vlerë pati ai trepikësh me Tiranën. Loja ndaj këtij kundërshtari ishte më e mirë. Ato që vlejnë janë pikët dhe 9 të tilla në tri ndeshjet e fundit ishin një gjë pozitive.

Çfarë ka ndryshuar në skuadër sipas jush?

Mendoj se tani ka më shumë frymë grupi, më shumë dëshirë dhe harmoni. Skuadra pati një nisje të kampionatit me shumë oshilacione. Ishte një ekip që dha shumë pak në fushë, por ndryshimet që u bënë erdhën për mirë, duke pasur efekt pozitiv për Vllazninë.

Keni qenë kritik ndaj merkatos që bëri Vllaznia në verë dhe duket se koha ju ka dhënë të drejtë, pasi tre lojtarë kanë prishur kontratën me klubin, pa u mbyllur ende faza e dytë…

E kam theksuar që merkato nuk ka qenë ajo që duhet dhe e tillë doli. Largimet pa mbaruar viti tregojnë se ka pasur probleme. Mendoj se asgjë nuk ka shkuar siç është menduar në fillim nga klubi.

Në syrin tuaj, ku duhet të ndërhyjë Vllaznia në merkaton e janarit?

Drejtuesit e dinë më mirë, por gjykoj se ka nevojë për një mesfushor që luan topin. Sigurisht, ka nevojë edhe për në pozicione të tjera, por drejtuesit duhet të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim.

Si e shikoni ecurinë e kampionatit pas 18 javëve, ka diçka që iu bën përshtypje?

Shikoj luhatje të shumta. Nuk mund të aludohet, por që Vllaznia mposht Tiranën, që është një ekip me shumë cilësi dhe më pas Tirana mund 5-0, Egnatian që për mua është skuadra më e mirë e Superligës, nuk di që t’i jap shpjegim. Kur Vllaznia fitoi me Tiranën, mendova se ka mundur një ekip shumë të mirë. Por, Tirana fitoj me Egnatian më pas thellësisht dhe nuk di si t’ia vë emrin këtyre rezultateve.

Mendoni se Vllaznia e mbyll në katërshe këtë sezon?

Mënyra se si po e tregon veten dhe si janë ekipet e tjera me atë që kanë dhënë, tani besoj plotësisht se Vllaznia e kap katërshen.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img