Vllaznia ka nisur zyrtarisht lëvizjet në merkaton verore duke siguruar shërbimet e Patrik Bardhit i cili konsiderohet afrimi i parë i skuadrës shkodrane për sezonin e ri.
Mesfushori me tipare sulmuese vjen te kuqeblutë pas paraqitjeve pozitive në kampionatin shqiptar ndërsa drejtuesit e klubit e shohin atë si një element që mund të sjellë më shumë kreativitet dhe cilësi në repartin ofensiv.
Trajneri i Vllaznisë Edi Martini ka kërkuar përforcime në disa pozicione, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për kampionatin e ardhshëm dhe për angazhimet në arenën europiane.
Në këtë kuadër Patrik Bardhi përfaqëson hapin e parë të projektit të ri që po ndërtohet në Shkodër.
Lojtari pritet ti bashkohet shumë shpejt skuadrës në fazën përgatitore ku do të nis punën me grupin për t’u përshtatur me kërkesat e stafit teknik.
Besohet se ai do të ketë një rol të rëndësishëm në skemat e ekipit gjatë sezonit të ardhshëm.
Me afrimin e Bardhit Vllaznia jep sinjalet e para të një merkatoje aktive ndërsa në ditët në vijim priten edhe lëvizje të tjera si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Drejtuesit kuqeblu synojnë të ndërtojnë një skuadër të denjë për objektivat e larta që klubi ka vendosur për sezonin 2026-2027.
Postimi zyrtar i KF Vllaznia
MIRËSEVJEN, PATRIK!
KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë afrimin e Patrik Bardhit, i cili do të jetë pjesë e familjes kuqeblu për sezonin 2026-2027.
Një futbollist me cilësi, ambicie dhe uri për sukses, që vjen për të dhënë kontributin e tij në rrugëtimin e Vllaznisë drejt objektivave të reja.
I urojmë Patrikut shumë suksese me fanellën kuqeblu, shëndet dhe sa më shumë fitore së bashku me tifozërinë tonë të mrekullueshme.
Mirë se erdhe, Patrik Bardhi!
Fatos LAMAJ


