Trajneri Emanuel Egbo nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Paraqitja e dobët në fushën e lojës në ndeshjen e sotme përballë Korabit të Peshkopisë ku në limit të kohës shtesë, bardheblutë pësuan gol duke u eleminuar kështu nga Kupa e Shqipërisë, ka detyruar drejtuesit e presidences së klubit bardheblu ta shkarkojnë nga detyra trajnerin e tyre. Burime zyrtare pranë KF Tirana, bëjnë të ditur se vendimi në fjalë është marrë para pak minutash, dhe për këtë kanë dalë me një deklaratë për shtyp, ku ndër të tjera, nuk kanë munguar edhe falenderimet në adresë të tij për kontributin që nigeriani dha në fitimin e titullit kampion sezonin e kaluar.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton shkarkimin e trajnerit Emmanuel Egbo. Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, Egbo nuk do të jetë më në krye të bardhebluve për shkak të rezultateve të munguara. Klubi e falenderon për përkushtimin dhe sukseset e arritura, të cilat kulmuan me kthimin e titullit kampion në shtëpi. Duke i uruar suksese në karrierën e tij, kampi i kampionëve i jep një meritë të veçantë të suksesit në sezonin e shkuar njëriut që prej vitesh ishte edhe do të jetë pjesë e familjes së bardhebluve. Faleminderit Egbo!”