Edicioni i tetë i kursit të licencimit për trajnerë të nivelit “UEFA Pro”, që është edhe niveli më i lartë për një trajner futbolli ka nisur zyrtarisht ditën e sotme.
Në këtë kurs, që do të zgjasë rreth 8 muaj do të marrin pjesë 20 trajnerë, të cilët do të ndjekin kurrikulën e përgatitur nga UEFA, në bashkëpunim me FSHF-në.
Kursi do të zhvillohet në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz, duke respektuar të gjitha masat kufizuese dhe protokollet sanitare kundër Covid-19 dhe do të drejtohet nga përfaqësuesit e Sektorit të Edukimit, Astrit Maçi dhe Alban Tafaj, të cilët janë edhe përgjegjës për organizimin e këtij programi arsimor, në bashkëpunim me Departamentin Teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit, që drejtohet nga Giancarlo Camolese.
Ky nuk është kursi i vetëm që organizohet nga FSHF-ja, pasi më herët janë organizuar edhe kurset e niveleve të tjera të licencimeve për trajner, ku janë diplomuar emra të njohur të trajningut shqiptar.
UEFA PRO është niveli më i lartë i licencës dhe trajnerët që zotërojnë këtë licencë mund të drejtojnë çdo lloj skuadre në Shqipëri dhe jashtë vendit.