Pak minuta më parë, Vllaznia, ka lënë mjediset komode të Gardenland Resort në Barbullush, rreth 20 kilometra larg nga qyteti i Shkodrës, ku ka qënë e grumbulluar që nga pasditja e djeshme dhe i është drejtuar stadiumit “Loro Boriçi” në pritje të supersfidës së orës 19.45 përballë Dinamos.
E veçanta e këtij udhëtimi është se skuadra kuqeblu po kryen udhëtimin e parë të një sfide zyrtare me autobusin e ri, të cilën presidenca e KF Vllaznia e bëri të mundur të ishte gati për këtë pragndeshje.
Siç shihet edhe në fotot në fjalë, autobusi me kushte bashkëkohore dhe mjaft të rehatshme, është i mbështjellë me dekorin karakteristik të Vllaznisë së traditave, kuq dhe blu.
Le të jetë ky një ugur i mirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Thomas Brdariç, dhe Vllaznia të ketë fatin e duhur për ta kurorëzuar me sukses këtë sfidë, e cila është mjaft e rëndësishme, sepse në rast fitoreje tre pikëshe, merr kryesimin e tabelës së klasifikimit.
E gëzofshi autobusin e ri, me këmbë të mbarë dhe me fitore sonte për të gëzuar një Shkodër të tërë që e ka mendjen e tëra tek skuadra e zemrës, Vllaznia!