Ka luajtur për rreth 60-të minuta me një futbollistë më pak duke pasur përballë një kundërshtarë të fortë që kërkonte patjetër pikë në Shkodër, dhe në fund, fitorja e arritur me rezultatin 1 me 0 ndaj Partizanit e ka nxjerrë të kënaqur trajnerin e kuqebluve, Thomas Brdariç. Një gjë të tillë ai e shprehë edhe pas ndeshjes duke mos hezituar të përgëzojë futbollistët e tij që dhanë më të mirën e tyre në fushën e lojës.
“Komplimente ekipit. Ishte një fitore shumë e luftuar. Pashë një paraqitje shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë. Mendoj se është një nga 45 minutat më të mira që kanë bërë djemtë prej momentit që jam këtu, ishin të përqendruar.Është e vështirë të bësh një ndeshje të tillë kur ke përballë ekip që luan mirë si Partizani. Në pjesën e dytë bëmë disa pasime të nxituara dhe të gabuara, por në përgjithësi ishte një fitore shumë e mirë dhe një ndeshje mjaft e kënaqshme.
Lidhur me pyetjen e krizës, mendoj se janë procese zhvillimi, ne po mundohemi të implementojmë edhe 2-3 lojtarë me pritshmëri të madhe, por futbolli është një lojë skuadre dhe jo individual. E kisha fjalën për lojtarë që kanë ardhur te ne gjatë merkatos së verës.Ata duhet të përshtaten në ekip, me mënyrën dhe pritshmëritë që kemi ne. Mendoj se janë përshtatur disi dhe të vazhdojmë kështu përpara. Skuadra duhet të kuptojë që duhet të luajmë edhe në mbrojtje, më pas vijnë edhe momentet kur mund të shënojmë.
Sa i përket momentit të kartonit të kuq, unë mendoj se kemi mësuar nga e kaluara që duhet të bëjmë një faull, ndoshta edhe për të sakrifikuar me një karton të kuq. Patëm një rast të ngjashëm vitin e kaluar, por Gurishta nuk bëri faull të tillë dhe e humbëm ndeshjen. Lojtarët kanë mësuar nga e kaluara, Gurishta dhe Jonuzi, të cilët janë shumë shokë me Krymin, duhet t’i japin një darkë këtij të fundit” , tha ndër të tjera trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.