Derbi i Shqipërisë, raundi i dytë luhet në Tiranë por interesimi nga tifozët shkodranë mbetet i madh. Të shtunën në orën 19:45 në Arenën Kombëtare, Tirana pritëse do të hapë dyert edhe për miqtë nga qyteti verior të cilët kanë planifikuar një prani më të madhe krahasuar me përballjet e tjera në transfertë pasi për ta kjo është një sfidë e veçantë.
Ambjenti në Shkodër dhe tifozët janë deri diku të ndarë për shkak të krijimit të disa tifogrupeve, ndërsa përfaqësuesit më të njohur “Power 12”, kanë qënë disi më të organizuar në mbështetjen e Vllaznisë për ndeshjet në transfertë.
Risia këtë herë është paqja që 3 apo 4 grupimet kryesore kanë bërë paqe, duke pranuar të organizohen të gjithë se bashku dhe për të mbështetur skuadrën pa logo apo emra të veçantë por nën të njëjtat ngjyra, kuqeblu.
Ashtu si në çdo transfertë, klubi ka vënë në dispozicion një autobus edhe pse për derbin e Shqipërisë është shumë pak dhe mbështetësit e Vllaznisë do të udhëtojnë drejt kryeqytetit me mjetet e tyre, ndërsa një pjesë e madhe që jetojnë e punojnë në Tiranë, do të bashkohen me ta për të bashkuar zërat në ndeshjen jetike të së shtunës.
Të tjerët, në Shkodër, brenda dhe jashtë vendit, do të fiksohen pranë ekranit të televizorit për të shijuar një 90-të minutësh super emocionues që pritet të ofrojë mjedisi modern i stadiumit kombëtar, “Air Albania”.