Sunday, November 24, 2024

Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, barazim pa gola dhe pa emocione

Lexo

Asnjë fitues në derbin e shumëpritur të kryeqytetit, që u luajt pa shijën e kualitetit të lartë që pretendohej e vetëm me agonizmin e dy skuadrave që luftuan për të mos dalë të mundur. Nën shiun e vazhdueshëm kryesuesit e Tiranës zotëruan të parën e pjesëve, me të kuqtë që në të dytën ndryshuan fytyrën me Carën e humbën të pamundurën me Junior, për një 0-0 pa ngjyrë. Problemet e vërteta në fushë erdhën nga tifozët, që nën nxitjen e dëshirës për të ndezur shkëndijën ranë në ekzagjerimin dhe shëmtinë e fishekzjarreve të hedhura, tymueseve të zakonshme e stolave të shkatërruar, duke rrezikuar jo në pak raste të dëmtonin edhe lojtarët.

Shfaqja e gabuar, me katër ndërprerje, në ndeshjen që nuk duhej. E pra, për momentin nga i cili vinin pritej shumë më tepër se një ndeshje grintoze por e luajtur me frikë, megjithë impaktin më të mirë me sfidën të skuadrës së Shehit, që mbërtheu Partizani në gjysëmfushë, duke tentuar ta godasë me Xhixhën, që në të 3 provoi nga jashtë zonës, ndërsa në të 21, devijoi me kokë, por jo si duhet krosimin e Tosevskit. Të kuqtë, në vështirësi, rrezikuan kapitullimin në minutën e 26’, por në parabolën e Xhixhës ishtë i kujdesshëm Albion Marku të largonte para vijës fatale.

U frikësua Mehmeti, por më shumë tifozët e të kuqve që mbuluan zonën para tyre me tym, duke sjellë 6 minuta pauzë, që rëndoi edhe më shumë këmbët pa ide të dy skuadrave nën presion. Tirana provoi edhe njëherë me Devid, devijimi i të cilit në sugjerimin e Xhixhës nuk përfundoi në kuadrat. Partizani u duk për herë të parë në të 44-ën me Bitrin që në shtyllën e parë nuk bëri dot keq me kokë. Sinjali se ndoshta diçka do të ndryshonte për të besuarit e Mehmetit në pjesën e dytë, por që në fakt pati si pikë kthese të lojës vetëm në të 57-ën kur tekniku vendosi të nxjerrë Kallakun për ti dhënë hapësirë Carës, një lojtar që me energjinë e tij i ndryshoi fytyrën të tijve.

Diçka më pak se 1 minutë iu desh sulmuesit të vihej në evidencë, duke fiksuar edhe rastin e parë të pjesës së dytë, në një konkluzion që detyroi Bekajn të ndërhynte për të mos rrezikuar. Partizani mund ta fitonte ndeshjen në mënyrë të pabesueshme, por Junior humbet të pamundurën me portën të boshatisur, duke goditur vetëm rrjetën e jashtme, në aksionin më të mirë të derbit.

Një tjetër ndërprerje, këtë herë me stolat në fushë, të hedhur nga sektori i Partizanit, ndryshoi kahun, me Tiranën, që provoi deri në fund ta fitonte ndeshjen, me një Seferi gjithnjë në qendër të aksioneve, i kthjellët dhe bashkëpunues, por me Limajn e Devid që nuk arritën ta ndjekin si duhet, duke shpenzuar mundësi që mund të kishin vendosur ndeshjen. Asnjë skuadër nuk kalon tjetrën e as Seferi e Skuka nuk diferencohen me gola, ndonëse performance e sulmuesit bardheblu ishte shumë më e mirë.

Mehmeti merr kështu pikë në derbin e parë me Tiranën në pankinë, ndërsa Shehi detyrohet të ngadalësojë, edhe pse në një ndërqytetase barazimi është një rezultat mëse i pranueshëm.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img