Fitorja e sotme ndaj Kastriotit me rezultatin 4 me 3, por edhe loja që zhvilloi skuadra që ai drejton, e kanë kënaqur trajnerin e Vllaznisë U-21, Fatjon Hasani. Një gjë të tillë ai nuk nguron ta shprehë edhe në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes për Veriu Sport.
“Patjetër që jam i kënaqur me fitoren, si dhe me lojën e skuadrës tonë. Ishte një ndeshje shumë e fortë përballë një ekipi si Kastrioti që e kemi rival në grup me një pikë më pak se sa Vllaznia në renditje. Na vuri paksa në vështirësi në pjesën e parë, pasi kaluam dy herë në avantazh, por na barazuan përmes goditjeve standarte. E kontrolluam lojën në pjesën më të madhe, shënuam dhe u liruam si skuadër. Gjithsesi, unë jam i kënaqur me lojën, por kemi edhe gabimet tona që do t’i riparojmë në javët në vazhdim.”-shprehet tekniku shkodran Fatjon Hasanaj.
Pozitive shënimi i katër golave nga skuadra kuqeblu, por pësimi i tre të tillë në portën e tyre ka vend për t’u ndalur nga stafi. “Pësimi i golave do të jetë pjesë e analizës sonë, por krahas të tjerave, mendoj se ato gola erdhën edhe nga shtatlartësia më e madhe që kishte ekipi mik, i cili shfrytëzoi goditjet standarte. Sidoqoftë, edhe pse me ndonjë problem në prapavijë, ne si ekip e dominuam plotësisht lojën, dhe për këtë i falenderoj të gjithë djemtë e skuadrës.”, tha Hasani.
I pranishëm në fushën sportive “Reshit Rusi” për të ndjekur përballjen e 21 vjeçarëve, Vllaznia-Kastrioti ishte i gjithë stafi teknik i skuadrës së parë kuqeblu me në krye trajnerin Thomas Brdariç, çka tregon vemendjen që ato kanë për ekipin U-21. “Ato na ndjekin vazhdimisht, gjë që i ndihmon ato për vëzhguar lojtarët që janë pjesë e ekipit të parë, që duke pasur moshën të luajnë për U-21, aktivizohen në skuadrën tonë. Në pamundësi të hapësirave të duhara të aktivizimit në ekipin e parë, për to është një mundësi e mirë t’i vëzhgojnë prej së afërmi dhe për të parë realisht gjendjen e tyre në fushën e lojës në lidhje me mundësinë e aktivizimit në të ardhmen tek skuadra e parë. Konkretisht, sot luajtën në formacion 6 lojtarë nga skuadra e parë, të cilët fillimisht, në fakt vonuan të përshtateshin me skuadrën, por pastaj në vazhdimësi të minutave i morëm maksimumin në fushën e lojës. Bashkëpunimi në mes dy ekipeve mendoj se është në nivelin e duhur duke i shërbyer në mënyrë të ndërsjelltë të dy kampeve përkatëse.”, nënvizon trajneri Hasani.
Duke folur për të ardhmen e skuadrës U-21, trajneri Hasani mendon se është premtuese. “Kemi djem që dijnë të luajnë futboll, sterviten shumë dhe kanë dëshirë, ekipi po harmonizohet dita ditës dhe presim të ecim edhe më tej. Për ndeshjen e radhës, e cila për ne do të jetë të martën e ardhshme në transfertë përballë Futboll Republik, kemi objektiv vetëm fitoren.”, -përfundon për Veriu Sport, trajneri i Vllaznisë U-21, Fatjon Hasani.
Gaspër MARKU