Kampionati Botëror, i 22-ti për nga radha, finalet e të cilit do të mbahen në Katar, ka hedhur ditën e premte shortin e grupeve, duke ofruar disa ndërthurje interesante. Sikundër do të ndodhë edhe me vetë Botërorin, edhe shorti u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, në grupin A, vendi organizator, Katari, duket se është përkëdhelur nga shorti, teksa do të ketë një sfidë prej 3 kontinenteve të tjera, në trajtën e Senegalit, Holandës dhe Ekuadorit. Kjo nënkupton se ndeshja hapëse e Botërorit 2022 do të jetë dueli Katar-Ekuador.
Ndërkaq, në grupin B, spikatin sfidat midis anglishtfolëseve, teksa Anglia do të përballet me Shtetet e Bashkuara, me Iranin por edhe me fituesen e “play-off”-it evropian, pasi Skocia do të ndeshet me Ukrainën në duelin e shtyrë, e më pas, fituesja e tyre do të sfidojë Uellsin për vendin në Botëror. Në grupin C, Argjentina sfidohet nga Meksika, Polonia dhe Arabia Saudite, kurse në grupin D, kampionia në fuqi e botës, Franca, do të ndeshet me Danimarkën, Tunizinë dhe fituesen e “play-off”-it midis Azisë, pra Australinë ose Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Amerikës Latine, pra Perusë.
Dy rivalet e mëdha evropiane, Spanja dhe Gjermania, që e kanë fituar përkatësisht një herë dhe 4 herë Botërorin, sfidohen nga Japonia, por edhe nga fituesja e “play-off”-it midis CONCACAF-it dhe Oqeanisë, pra Kosta Rika ose Zelanda e Re. Dy rivale të tjera evropiane, Belgjika dhe finalistja e mundur e 2018-ës, Kroacia, do të ndeshen në grupin F me Marokun dhe Kanadanë, ndërsa në grupin G, që është padyshim grupi më i fortë, Brazili do të sfidohet nga dyshja evropiane, Zvicra dhe Serbia, por edhe nga një nga përfaqësueset më në zë të Afrikës, Kameruni. Dhe, së fundit, në grupin H, do të ndeshen me njëra-tjetrën Portugalia, Uruguaji, Koreja e Jugut dhe Ghana.
Grupet e Botërorit
GRUPI A – Katari, Ekuadori, Senegali dhe Holanda.
GRUPI B – Anglia, Irani, SHBA dhe fituesi i playoff-it evropian (Skoci / Ukrainë-Uells)
GRUPI C- Argjentina, Arabia, Meksika dhe Polonia.
GRUPI D— Franca, fituesi i (Australi/Emiratet-Peru,) Danimarka dhe Tunizia.
GRUPI E- Spanja, Kosta Rika ose Zelanda e Re, Gjermania dhe Japonia.
GRUPI F- Belgjika, Kanadaja, Maroku dhe Kroacia.
GRUPI G- Brazili, Serbia, Zvicra dhe Kameruni.
GRUPI H- Portugalia, Gana, Uruguai dhe Koreja e Jugut.