Sunday, November 24, 2024

Formula 1-Lëklerk, fiton çmimin e Australisë, rivali Maks Verstapen tërhiqet nga gara

Lexo

Çmimi i Madh i Australisë në Formula 1 fitohet nga Sharl Lëklerk. Në garën e zhvilluar të dielen, Lëklerk ka korrur një fitore bindëse teksa rivali i tij, Maks Verstapen, u tërhoq nga gara. Piloti i “Ferrari”-t që u nis nga vendi i parë në këtë garë që u rikthye pas 3 vitesh në pistën e Melbërnit, e udhëhoqi atë gjatë gjithë kohës, edhe përtej futjes dy herë të makinës së sigurisë. Por në të dy rastet, Lëklerk e la prapa Verstapenin, edhe pse holandezi e vuri nën presion pilotin nga Montekarlo pas rinisjes së dytë. Serxhio Perezi e mbylli garën në vendin e dytë, duke mbajtur lart flamurin e skuadrës së “Red Bull”-it, teksa la prapa Xhorxh Rasëllin, i cili përfitoi më së shumti nga futja e dytë e makinës së sigurisë, por vetëm pasi i bëri ballë në finish. një sulmi të shokut të skuadrës së “Mercedes”-it, Ljuis Hemiltonit.

Ndonëse në nisje Verstapen bëri një përpjekje, por pa rezultat, për t’ia rrëmbyer Lëklerkut vendin e parë, me Hemiltonin që i mori vendin e 3-të Perezit, por gjithçka u fshi në xhiron e dytë, pas daljes nga gara të pilotit tjetër të “Ferrari”-t, Karlos Sainz, ndërsa makina e sigurisë mbeti në pistë deri në xhiron e 7-të. Lëklerk e ruajti pa problem vendin e parë pas largimit të saj, ndërsa Verstapen vuajti me gomat dhe u fut për t’i ndërruar ato në fund të xhiros së 18-të. Piloti i “Ferrari”-t i ndërroi ato në xhiron e 22-të dhe futja menjëherë më pas në pistë e makinës së sigurisë, pas aksidentit të Sebastian Fetelit, bëri që pas rinisjes në xhiron e 27-të, Verstapen të sulmonte edhe më fort, por Lëklerk tregoi  pjekuri dhe karakter, duke e ruajtur kryesimin dhe pas xhiros së 35-të, ai ishte 5 sekonda i shkëputur nga holandezi.

Por 4 xhiro më pas, Maks Verstapen u tërhoq nga gara, për shkak të një problemi në motor. Pas kësaj gara nuk kishte më histori, teksa Lëklerk, i cili e kishte rikthyer “Ferrari”-n në nisjen nga vendi i parë për herë të parë në pistën e Melburnit, i dhuroi asaj fitoren pas 4 vitesh në garën australiane, dhe të 239-ën për skuadrën italiane në Formula 1.

Ndërkohë, pas farës së 3-të të sezonit, Sharl Lëklerk i “Ferrari”-t kryeson renditjen e përgjithshme të pilotëve, me 71 pikë, i ndjekur nga Xhorxh Rasëll i “Mercedes”-it me 37, Karlos Sainz i “Ferrari”-t, me 33, Serxhio Perez i “Red Bull”-it me 30, Ljuis Hemilton i “Mercedes”-it, me 28 dhe Maks Verstapen i “Red Bull”-it, me 25.

Kurse në renditjen e skuadrave, kryeson “Ferrari”, me 104 pikë, i ndjekur nga “Mercedes”-i, me 65, “Red Bull”-i me 55, “MekLaren” me 24 dhe “Alpine” me 22. Emocionet e garës australiane të Formulës 1 erdhën të dielën në mëngjes me orën e Tiranës drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizonit Shqiptar.

RENDITJA

  1. Leclerc 71
  2. Russell 37
  3. Sainz 33
  4. Perez 30
  5. Hamilton 28
  6. Verstappen 25
  7. Ocon 20
  8. Norris 16
  9. Magnussen 12
  10. Bottas 12
  11. Ricciardo 8
  12. Gasly 6
  13. Tsunoda 4
  14. Alonso 2
  15. Zhou 1
  16. Albon 1
  17. Schumacher 0
  18. Stroll 0
  19. Hulkenberg 0
  20. Latifi 0

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img