Kuqeblutë e Vllaznisë luajnë të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi” ndeshjen e javës së gjashtë të Superiores së futbollit shqiptar, e dyta radhazi në shtëpi pas asaj të javës së kaluar me Kukësin, të cilën e humbën me rezultatin 2 me 4. Një ndeshje kjo, që sipas zv.trajnerit Elvis Plori, Vllaznia duhet ta fitojë. Një gjë të tillë krahu i djathtë i kroato-gjermanit Brdariç në pankinë e theksoi gjatë konferencës për shtyp dhënë paraditen e së premtes në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, ku ndër të tjera vuri në dukje se garanci për këtë janë edhe riparimet e defekteve të konstatuara në përballjen e javës së kaluar me Kukësin.
“Ishte një ndeshje që duhej të analizohej ajo me Kukësin. Gabimet ishin foshnjarake dhe mendoj se duhen harruar, gjë që e kemi bërë gjatë javës për skuadrën në proçesin stervitor. Kryesisht, jemi përqëndruar në stabilitetin në fushë dhe jo transzicionin. Si ne si tifozët e kemi në gjak që të luajmë lojë sulmuese, të jemi me këmbë në tokë dhe më të kujdesshëm në pjesën prapa, duke mos lënë hapësira.”,- tha Plori në fillim të prononcimit të tij përpara gazetarëve shkodranë.
Në vijim, Plori flet edhe për kundërshtarin, të cilin e vlerëson për lojën që prodhon në fushë. “Nuk duhet të mendojmë se skuadra mike nuk e ka nisur mirë kampionatin. Nuk ka shumë ndryshime në skuadër dhe vjet ka bërë mirë. Duhet vlerësim maksimal, tri pikë vlejnë si me Bylisin dhe me Tiranën.”, theksoi ai.
Pjesë e skuadrës kundërshtare është edhe 17 vjeçari i talentuar, Marçelino Preka, për të cilin Plori tha se, ai dhe të tjerë të rinjë që janë në ekipet e tjera, në vazhdim të karrieres së tyre mund dhe duhet të bashkohen me Vllazninë. “Nuk më vjen keq vetëm për Marçelinon që po rritet atje por edhe pët të tjerët. Nuk do të thotë se ai po luan dhe nuk mund të jetë më pjesë e Vllaznisë. Ka edhe lojtarë të tjerë shkodranë që janë me ekipet e tjera dhe një ditë do jenë pjesë e jona. Kjo gjë ndodh në çdo skuadër të Superligës, ndërsa tek ne, duke marrë parasysh që jemi ekip i ri nuk mund të kemi shumë hapësira për lojtarët e rinjë të talentuar.”, sqaroi Plori.
Duke folur për mungesat e mundshme në skuadër për këtë ndeshje, Plori tha se “kemi të konfirmuar dy mungesat e Da Silvës dhe Krujës që kanë qenë në formacion, por nga ana tjetër, edhe lojtarët e tjerë që do të aktivizohen, duhet të tregojnë veten dhe të kapin mundësinë duke treguar veten”.
Në mbyllje të prononcimit të tij, Plori garanton tre pikët në këtë ndeshje. “Them se duhet të marrim tri pikë, duke nisur nga angazhimi i lojtarëve dhe mësimet nga ndeshja me Kukësin. Dëshira me mundësinë janë ndryshe, ta tregojmë në fushë.”, përfundoi prononcimin e tij në konferencën për shtyp, zv.trajneri kuqeblu, Elvis Plori.