Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n vijon përgatitjet për organizimin e finales së madhe të UEFA Conference League, që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë. Në kuadër të pritjes së këtij eventi madhor po organizohen edhe disa trajnime, që kanë në fokusin sigurinë në stadiume dhe përgatitjes së autoriteteve ligjzbatuese për aktivitete të këtyre përmasave.
Prej dy ditësh po zhvillohet në Tiranë trajnimi i radhës me temë “Police training – Safety & Security”, ku marrin pjesë ekspertë të UEFA-s, ekspertë të FSHF-së, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në DPPSH, Rebani Jaupi, drejtuesit e Policisë së Tiranës, Policisë Rrugore, dhe drejtorive të ndryshme, që do të jenë të angazhuara në mbarëvajtjen e finales së UECL në Tiranë.
Në nisje të trajnimit ishte i pranishëm edhe Drejtuesi i Sektorit të Sigurisë në UEFA, Giovanni Spitaleri, i cili mbajti një fjalë, ku u përcolli pjesëmarrësve edhe përshëndetjet e Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin.
Ky trajnim, që këtë herë është i fokusuar vetëm për policinë, është në vijim edhe të dy trajnimeve të tjera të zhvilluara në muajt shkurt dhe mars në të cilat ekspertet e UEFA-s, zhvilluan trajnime të përbashkëta për sigurinë dhe shërbimin me pjesëmarrës nga disa institucione që kanë detyrime në këtë drejtim, duke ndarë me përfaqësuesit që morën pjesë eksperienca të rëndësishme të ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur në stadiume në vende të ndryshme apo edhe në vendin tonë.
Trajnimi udhëhiqet nga lektorë të UEFA-s dhe përfaqësuesi i Rrjetit Policor për Shkëmbimin e Informacionit për Ndeshjet e Futbollit NFIP, Adrian Dinca.
Në hapje të këtij aktiviteti Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi grupin e ekspertëve të UEFA që kanë kontribuar në përgatitjen dhe organizimin e këtij eventi si edhe mbështetjen që Policia e Shtetit po i jep organizimit të këtij aktiviteti madhor.
“Ky aktivitet është në vazhdën e përgatitjeve, planeve dhe masave organizative të ndërmarra nga UEFA në bashkëpunim të ngushtë me FSHF-në për të realizuar objektivin tonë strategjik në bashkëpunim të ngushtë me gjithë partnerët tanë, ku sigurisht një rol shumë të rëndësishëm zë dhe Policia e Shtetit, për të realizuar një organizim perfekt të ndeshjes finale të UEFA Conference League. Ky event, i cili është i pari që zhvillohet nga UEFA dhe gjithashtu për herë të parë zhvillohet në vendin tonë, do të jetë një finale me një kombinim të parametrave maksimale të organizmit, sigurisë, dhe shërbimit ndaj pjesëmarrësve dhe qytetarëve të Tiranës, duke synuar një atmosferë sa më të bukur dhe festive. Cikli i trajnimeve që filloi me trajnerët e shërbimit të sigurisë stjuard, të zhvilluar në muajin shkurt, vazhdoi me trajnimin e përbashkët mes përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, Shërbimit Zjarrfikës, Kompanitë e Sigurimit Fizik, Shërbimit të Urgjencave Mjekësore dhe Kryqit të Kuq, që u zhvillua në muajin mars, do të finalizohet me këtë trajnim specifik për Policinë e Shtetit. Lektorët do të japin mundësinë e shkëmbimit të përvojave më të mira evropiane në fushën e menaxhimit të ngjarjeve masive të këtyre përmasave, risqeve dhe planifikimit të masave konkrete, duke analizuar edhe evente të tjera të ngjashme të zhvilluara në Evropë”, – tha Dervishaj ndër t tjera në fjalën e tij.
Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n po përgatitet me seriozitet maksimal për të mundësuar një ndeshje finale madhështore të UEFA Conference League, me parametra maksimalë sigurie dhe shërbimi, gjatë atmosferës festive që do të krijohet në datën 25 maj. Këto cikle trajnimi japin mundësinë e shkëmbimit të përvojave më të mira evropiane në fushën e menaxhimit të ngjarjeve masive të këtyre përmasave dhe garantojnë një finale festive dhe të sigurt për të gjithë sportdashësit, ekipet, stafet e tyre dhe gjithë qytetarët e Tiranës.
Ky është një event i jashtëzakonshëm dhe madhështor për Tiranën dhe Shqipërinë dhe po ashtu edhe masat do t’i përgjigjen në nivel maksimal organizimit të kësaj finaleje të madhe.