Dinamo dhe Skënderbeu, në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Kamzës në kuadrin e javës së 36-të, kanë ndarë nga një pikë. Një barazim që rrëzon Skënderbeun, i cili edhe pse është nëntë pikë diferencë me Egnatian në ndeshje direkte ka një fitore, një barazim dhe dy humbje, por që mban ende në lojë Dinamon. Blutë e Vanolit mund të shpresojnë edhe një javë për të mbijetura në elitën e futbollit shqiptar, ndonëse dhe ata nuk e kanë bilancin e mirë me Egnatian, që i ka mundur një herë dhe kanë barazuar dy ndeshje të tjera.
Në fakt një barazim që është vendosur përtej shtesës prej pesë minutash, sepse penalltia për blutë për t’u verifikuar nga Jorgji në sistemin VAR ka dashur më shumë se dhjetë minuta. Problemet e monitorit nisin të ftohin lojtarët, por në fund Jorgji e ka parë dorën e Pusit dhe më pas Lilaj e ka mbyllur me golin ndeshjen me korçarët. Gjithçka ka ndodhur në Kamëz, atje ku Dinamo në katër mundësi në pjesën e parë është ndalur nga portieri Rexhepi.
Në të 29’ provon Rexhinaldo brenda zonës së rreptësisë korçare, por Rexhepi grushton. Mbrojtësi i katërkëndorit korçar ndal më pas Demirin, përsëri Rexhinaldon e në fund Ibrahimin. Në pjesën e dytë, Skënderbeu ka një marsh më shumë. Provon Mara në të 50’ nga rreth 20 metra, ndërsa pret Simoni. Më pas Berisha, pikërisht në të 70’, është ndalur nga trau dhe Simoni. E pas një minute kundërpërgjigjet Haxhiu, por Rexhepi ndal.
Skënderbeu gatuan golin, që do të vijë në të 83’ me Berishën, teksa ka shfrytëzuar maksimalisht krosimin nga e majta të Marës. Skënderbeu nis të shpresojë tek mbijetesa, ndërsa fitorja rrëzonte direkt Dinamon në Kategorinë e Parë. Por prekja e topit me dorë nga Pusi dhe goli i Lilajt bëjnë të kundërtën. 1-1 me Dinamon që ka vetëm një fije shprese për mbijetesë.