Klubi i Futbollit Vllaznia do të ketë edhe për vetëm dy ndeshje shërbimet e Ardit Krymit. Siç është bërë me dije edhe më herët, mesfushori ka nënshkruar një parakontratë me ekipin bjellorus, Shaktjor Soligorsk, skuadrën ku ka luajtur më herët edhe futbollisti shqiptar, Elis Bakaj. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai shprehet se kërkon që ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën me Vllazninë, duke kontribuar për kualifikimin në Kupat e Europës përmes kampionatit dhe të fitojë Kupën e Shqipërisë për të dytën herë me radhë me ngjyrat kuqeblu. Ai konfirmon se direkt pas finales së Kupës do të udhëtojë drejt Bjellorusisë, ku do të luajë me Shaktjor Soligorsk.
Si është atmosfera në skuadër pas fitores me Egnatian?
Mund të them se pas çdo fitoreje atmosfera është pozitive, por në këto momente na duhej që të merrnim tri pikët për të shpresuar deri në fund për të arritur një tjetër fitore në takimin e fundit, që e kemi me Kastriotin.
Kastrioti është një kockë e fortë, sidomos në fushën e vet. Besoni te fitorja?
Patjetër që po. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër veçse të fitojmë në këtë përballje, nëse duam të mbajmë shpresat gjallë që të shkojmë në Kupat e Europës përmes kampionatit. Jemi të bindur për një fitore.
Sa besoni se Tirana do të luajë ndaj Kukësit siç bëri ndaj jush?
Ne do të bëjmë në radhë të parë punën tonë, më pas të shpresojmë dhe besojmë që Tirana të tregojë më të mirën përballë Kukësit. Tirana do të ngrejë trofeun e titullit dhe ne shpresojmë që ta ngrejë me një fitore. Kjo është edhe dëshira jonë, që Tirana të luajë siç ka luajtur deri në fund, pa kompromise.
Çfarë ka ndryshuar tekniku Josa për këtë periudhë?
Nuk mund të them se kanë ndryshuar shumë gjëra. Na ka bërë më optimistë dhe na ka shtuar besimin në vete. Mendoj se profesori e njeh mirë kampionatin dhe vlerën e të gjitha ekipeve. Dora e tij ka për t’u ndier në dy takimet e mbetura. Ai po punon në çdo aspekt me ne për të arritur tek objektivi minimal, që janë Kupat e Europës.
Si prisni të jetë finalja e Kupës ndaj Laçit?
Do të jetë tjetër histori. Ne momentalisht e kemi mendjen të kalojmë me sukses Kastriotin dhe pastaj të mendojmë për Kupën. Për mua do të ishte diçka shumë e bukur që ta mbyll me Vllazninë me një tjetër trofe të Kupës. Më vjen sinqerisht keq që vjet s’dola kampion me këtë fanellë, por gjithsesi kthyem në Shkodër trofeun e Kupës. Kësaj here arritja e trofeut të dytë radhazi i Kupës do të më shijonte edhe më tepër, pasi do të përkonte edhe me largimin tim nga Vllaznia.
Pra, Krymi nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë, nëse ajo do të jetë pjesëmarrëse në Ligën e Konferencës?
Kam folur edhe me presidentin Xhaferi dhe kemi rënë dakord që sapo të përfundojë takimi i Kupës, do të jem i lirë. Unë me datë 1 qershor, pra pa mbushur 24 orë nga përfundimi i finales, do të nisem në drejtim të Bjellorusisë për t’u bashkuar me ekipin tim të ri.
Një falënderim?
Patjetër që falënderimet më të mëdha i takojnë tifozërisë së mrekullueshme shkodrane. Dashtë Zoti këtë s’ua bëj vetëm me fjalë zemre, por edhe me fitimin e Kupës, se ato gëzojnë njëlloj si ne çdo trofe të fituar. Pa dyshim për gjithë shokët e ekipit, drejtuesit dhe ishdrejtuesit teknikë dhe ata organizativë. Për presidencën e klubit dhe u uroj që të kenë sa më shumë suksese. Unë jam shkodran dhe zemrën e kam këtu.
Admir Uruçi