Saturday, September 21, 2024

Historike për Romën, pas 14 vitesh fiton një trofe europian. Roma-Feyenoord 1-0, vendos goli i Zaniolos në të 32’. Marash Kumbulla feston me flamurin kuqezi

Lexo

Historike në Tiranë, historike për skuadrën e Romës që ka fituar trofeun e Conference League pas triumfit 1-0 të arritur në finale përballë skuadrës holandeze të Feyenoord. Formacioni i Mourinho-s fiton kështu edicionin e parë të Conference League, duke u rikthyer për të ngritur një trofe pas 14 vitesh pritje. Për të vendosur ndeshjen ka mjaftuar një gol i Zaniolos në 32′, në lartësinë e duhur për të përfituar nga pavendosmëria e mbrojtjes kundërshtare. Në pjesën e dytë verdhekuqtë vuajtën shumë, holandezët goditën dy shtylla, por pas 5′ shtese festa mund të shpërthejë, në Tiranë dhe në Romë.

Një ëndërr e bërë realitet. Skuadra italiane ngre një trofe siç nuk kishte ndodhur që nga sezoni 2007/08 (Kupa e Italisë) dhe u kthye për të fituar një titull ndërkombëtar pas më shumë se 60 vjetësh (i fundit ishte Kupa e Panaireve 60/61). Mourinho rishkruan historinë e klubit, por edhe të tijën, duke vendosur titullin e tij të pestë evropian nga pesë finale të luajtura dhe duke e rikthyer Italinë në krye të Evropës 12 vjet pas tripletës me Interin. Një çlirim për të gjithë tifozët verdhekuq, pas vitesh vuajtjesh dhe zhgënjimesh.

KRONIKA – Feyenoord e nis me intensitetin e zakonshëm sfidën, duke sulmuar Romën në zonën e saj me një presing agresiv, edhe pse ndonjëherë edhe pak konfuz. Italianët treguan një qasje pritje e studimi, por pas një çerek ore loje u përballën me dëmtimin e Mkhitaryan, viktimë e një rikthimi të menjëhershëm të dëmtimit që e kishte mbajtur atë jashtë fushës që nga fundi i prillit. Me kalimin e minutave, të besuarit e Mourinhos gjejnë guxim, fillojnë të ngrenë qendrën e gravitetit dhe në të 32-ën e zhbllokojnë sfidën: në pasimin e gjatë të Mancinit, Trauner dështon, Zaniolo tregohet i zoti për të anashkaluar Bijloë me një goditje të zgjuar. Holandezët përpiqen të luftojnë duke përdorur presionin dhe shpejtësinë, armët e tyre më të mirë. Ushtruan shumë presion, por në 25 metrat e fundit u mungoi cilësia, pa i hequr meritat mbrojtjes së Romës, e drejtuar nga një Smalling në një mbrëmje të madhe.

Në pjesën e dytë muzika nuk ndryshon, Feyenoord niset ultra agresiv dhe pas dy minutash prek golin e barzimit në dy moment. Në goditjen e parë topi ndalet në shtyllë, më pas Rui Patricio tregohet i pakalueshëm Kalojnë pak çaste dhe portieri është përsëri vendimtar, këtë herë në një silur nga jashtë të Malacia. Ritmi i ndeshjes është i furishëm, Roma  proteston për një faull të mundshëm nga Senesi ndaj Abrahamit si lojtari i fundit. Holandezët janë gjithmonë në lojë, djemtë e Mourinhos duken në këmbë dhe përpiqen të dalin nga gjysma e tyre, më pas trajneri zgjedh të fusë Veretout dhe Spinazzola në vend të Zaniolos dhe Zalewskit të rraskapitur. Është pikërisht Veretout që frikëson Bijloë për herë të parë në pjesën e dytë, me një të djathtë të fuqishme, por portiere I holandezëve është në lartësinë e duhur. Me 5′ nga fundi, pas disa minutash vuajtjesh, Pellegrini ka shansin e bujshëm për ta mbyllur, por portieri i Feyenoord është ende i vëmendshëm. Mundësia e fundit vjen në shtesë, kur Linssen ka mundësinë për të barazuar. Më pas, është momenti për të shpërthyer festa për skuadrën italiane.

Një festë, pjesë e së cilës ishte edhe Marash Kumbulla, i cili edhe pse nuk luajti në këtë ndeshje, është pjesë e rëndësishme e skuarës së Romës. E veçanta e djalit shqiptar me origjinë nga Malësia e Shkodrës, është se ai zgjodhi të festojë me shokët e skuadrës, i mbështjellë me flamurin tonë kombëtar, kuq e zi dhe i duatrokitur nga tifozëria romake dhe ajo shqiptare, e pranishme në stadium.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img