Fitorja e së mërkurës ndaj Kastriotit në transferte me rezultatin 0 me 3 e ka vënë Vllazninë në qëndër të opinionit sportiv shkodran dhe më gjërë. Nëse në javët e mëparshme kishte hamendësime për vijueshmërinë e rezultateve pozitive, tashmë si kryesuese e vetme pas javës së shtatë të kategorisë Superiore është e qartë që kemi të bëjmë me një Vllazni solide dhe autoritare në fushën e lojës, e cila me të gjitha gjasat, në javët e ardhshme do të jetë edhe më e bukur, në lojë dhe rezultate. Në kampin kuqeblu, festa e fitores ndaj krutanëve është mbyllur që pas ndeshjes të së të mërkurës, ndërkohë që kanë filluar të mendojnë menjëherë për ndeshjen e radhës. Përballë kanë Partizanin e vendit të tretë me katër pikë më pak në tabelën e klasifikimit, skuadër e cila në javën e shtatë barazoi 0 me 0 me Laçin në “Elbasan Arena”.
Sipas kalendarit të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, të gjitha ndeshjet e javës së tetë të kategorisë Superiore do të luhen ditën e diele. Dy prej tyre, Tirana-Apolonia dhe Bylis-Kastrioti në orën 13.45 dhe tre të tjera, Vllaznia-Partizani, Teuta-Laçi dhe Kukësi-Skenderbeu në 16.45.
Për sfidën me Partizanin, në dispozicion të skuadrës do të jenë edhe tre titullarët Adili, Kruja dhe Da Silva, të cilët munguan në ndeshjen e mesjavës me Kastriotin. Në pamje të parë, rikthimi i treshes në fjalë konsiderohet mjaft pozitiv, por burime zyrtare pranë stafit kuqeblu bëjnë të ditur se me atë formë shumë cilësore që paraqiti formacioni i parë në sfidën me krutanët, tekniku Brdariç pritet ta ketë jo pak të vështirë për ndërtimin e formacionit të parë. Megjithatë, gatishmëria e një numri cilësor futbollistësh në pankinë, konkurenca dhe rivaliteti për një vend në formacion, për stafin është një komoditet më shumë në përzgjedhjen e emrave të titullarëve.