Nëntë shahistë nga Shqipëria morën pjesë në Kampionatin Europian individual të shahut për shkollat sipas grupmoshave përkatëse, aktivitet ky i zhvilluar në Cetinje të Malit të Zi. Pjesë e delegacionit sportiv shqiptar ishte edhe shkodrani, Henri Troshani.
Ndonëse tetë vjeçar, duke konkuruar me rivalët e një viti më të mëdhenj, Troshani arriti t’i mposhtë të gjithë kundërshtarët dhe në fund të shpallet fitues i vendit të parë për grupmoshën e tij. Pas kthimit nga aktiviteti, teksa komenton garat në fjalë, trajneri i tij Bernard Leka, vlerëson talentin e shahistit shkodran, Henri Troshani, i cili u nderua me Medaljen e Artë.
Ndërkohë që Henri i përfshirë në emocionet e suksesit, e ka paksa të vështirë të flasë, trajneri Leka flet me optimizëm për të ardhmen e tij duke u shprehur optimist se medalje të tjera, kombëtare dhe ndërkombëtare e presin Henrin në vazhdim.
Sukseset e fundit të Henri Troshanit, por edhe të disa individëve të tjerë, janë një sinjal pozitiv për rikthimin e traditës së sportit të shahut në Shkodër.
(Video-Prononcimi i trajnerit Bernard Leka për suksesin e shahistit të tij Henri Troshani, si dhe pamje nga aktiviteti)