Tuesday, November 26, 2024

(Intervista) Pragndeshja, Universitatea Craiova-Vllaznia nën gjykimin e Gilman Likës

Lexo

Lika jemi në pragndeshjen e kthimit të Conference League. Ndeshja e parë përfundoi barazim dhe tani do jetë ndeshja e dytë. Një panoramë e përgjithshme e Likës?

Siç e kam shikuar unë, ndeshja e parë ishte me dy tabllo. Pjesa e parë nuk ishte shumë e mirë ndërsa pjesa e dytë ishte fytyra e vërtetë e ekipit, ajo që duhet të jetë për 90 minuta në ndeshjen e kthimit. Isha i pakënaqur me pjesën e pare, e kishin vlerësuar ekipin kundërshtar më shumë se duhej. Ishte ekip i mirë me lojtarë cilësorë, por përgatitja para ndeshjes ka shumë rëndësi, nuk duhet as të nenvlerësohet as të mbivlerësohet kundërshtari. Pjesa e dytë ishte diçka krejtësisht tjetër dhe shpresoj që ajo pjesë të jetë një mësim për lojtarët. Duhet dhe një marsh më tepër për të arritur atë që ne të gjithë shpresojmë, pra kualifikimin.

Tashmë në krye të Vllaznisë është një trajner me emër si Mirel Josa me të cilin keni pasur rastin të bashkëpunoni. Mendoni që është personi i duhur për ta çuar Vllazninë më tej?

Me profesor Mirelin ka vite që kam punuar si te Vllaznia dhe te Tirana. Mendoj se është njeriu i duhur dhe ka ardhur në kohën e duhur, aq më tepër për aktivizimin e të rinjve që ne kemi ngritur zërin për kaq shumë kohë. Nuk pyet nëse je 16 vjeç ose 30 vjeç, në qoftë se ti e meriton për të luajtur, do të luash. Kjo është një favor shumë i madh për djemtë e rinj. Më bëhet shumë qejfi që Alivoda u aktivizua në lojë dhe shpresoj që edhe lojtarët e tjerë të kenë minutat e tyre sepse kampionati është i gjatë dhe ka kaluar shumë kohë që Shkodra nuk ka nxjerrur lojtarë të mirë siç jemi mësuar gjithmonë, një lojtar për Kombëtaren.

Të enjten në mbrëmje në orën 19:30 në Craiova luhet ndeshja e kthimit dhe Vllaznia ka momentin vendimtar për të siguruar kualifikimin. Mendoni që do ta ketë të vështirë?

Në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Padiskutim që është një ekip cilësor dhe ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë për në, pork jo kërkon një sforco maksimale nga secili lojtarë, duhet më shumë se 100% dhe një lojë si pjesa e dytë në Shkodër, në atë mënyrë kemi shanse. Shanset më të mëdha janë për ekipin kundërshtar, por siç thashë futbolli është i paparashikueshëm dhe nuk i dihet.

Nëse e kalon edhe këtë tur, mendoni që Vllaznia mund të arrijë të shkojë larg?

Nuk jam i sigurt për historinë, por nuk e di kur Vllaznia ka kaluar dy ture. Në kohën e Valterit kur kemi qenë ne dhe kemi dalë pothuajse çdo vit në Europë, me sa mbaj mend unë, kemi kaluar vetëm nga një tur. Tani është momenti i duhur dhe shpresoj që ky grup ta bëjë këtë hap të rëndësishëm.

Tifozëria shkodrane ishtë një armë shumë e fortë në Loro Boriçi. Sipas informacioneve, një grup i madh tifozësh po organizohen për të udhëtuar drejt Rumanisë.

Ky është një plus shumë i madh pasi mbështetja e tifoëzëve ka një ndikim pozitiv tek ekipi. Në Loro Boriçi ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, derisa edhe trajneri kundërshtar shprehu kënaqësinë e tij kur shikoi stadiumin pothuajse i mbushur rreth 10 mijë vetë në stadium. I mbështes shumë ato djem dhe i bëj thirrje të tjerëve t’i bashkohen sepse ato janë kënaqësia kryesore dhe mund të krahasohen edhe me ekipet e niveleve të larta.

Lika tashmë jashtë Vllaznisë, sapo jeni kthyer nga Kosova ku ishit pjesë e Kombëtares së veteranëve të Shqipërisë në një ndeshje miqësore me Kombëtaren e Kosovës në nderim të ish Presidentit dhe legjendës së futbollit Kosovar Fadi Vokrri. Ishte një emocion apo jo?

Padiskutim që është emocion. Është një vlerësim pasi kemi lënë futbollin, jemi të rinj po na përfshijnë në rangun e veteranëve. Është një ndeshje vëllazërore që organizohet shpesh mes Kosovës dhe Shqipërisë. Shpresoj që organizimi i këtyre ndeshjeve të rritet sa më shumë, në Kosovë është model kjo gjë, por me sa kam informacion edhe Fedarata Shqiptare e Futbollit është duke organizuar një aktivitet të tillë për ato që kanë lënë futbollin. Ndeshja në Kosovë ishte një kënaqësi e veçantë në nderim të legjedës Fadil Vokrri. Është nder të jesh në fushë afër legjendave që kanë bërë emër në Kampionatin Shqiptar.

Për ta mbyllur me Gilman Likën tashmë në rolin e trajnerit. Nuk keni një ekip të mirëfilltë, por jeni i spitakur në përgatitjen individuale të futbollistëve. Sa vlerësohet kjo gjë nga brezi i ri?

Kjo është diçka momentale që unë kam hapur, por një mesazh për gjithë Shkodrën, është diçka që duhet praktikuar. Qëllimi im është që të marr një ekip dhe të shkoj sa më larg si trajner në Shqipëri, pork jo është diçka që të rinjt e Shkodrës duhet ta bëjnë ves të tyre. Këtë nuk po e thotë Gilmani, por e thojnë të gjithë ato që kanë bërë emër në Kampionatin Shqiptarë. Pa stërvitje individuale është shumë e vështirë për të bërë hapa më të mëdhenj përpara.

Lika faleminderit dhe suksese!

Faleminderit ju!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img