Sezonin e ri futbollistik 2022-2023, futbollisti shkodran Sindrit Guri do ta luajë në kampionatin turk. Pas shumë dilemave, mes disa skuadrave të kampionatit shqiptar, mes të cilave edhe Vllaznia, si dhe disa të tjerave në Europë, ka qënë Instanbulspor që ka insistuar më shumë për ta bërë të vetin Gurin.
Zyrtarizimi i tij është bërë ditën e sotme, gjë të cilën e konfirmojnë edhe fotot zyrtare të shkrepura gjatë zyrtarizimit. Në një prononcim të shkurtër për Veriu Sport, vetë Guri shprehet i kënaqur me zgjedhjen e re, aq më tepër kur tek Instanbulspor, gjen edhe treshen e mirënjohur Kristal Abazajn, Eduard Rrocën, dhe Valon Et’hemin duke e çuar në katër numrin e futbollistëve shqiptarë që do të luajnë për këtë skuadër.
Karriera e 28 vjeçarit, fillimet e të cilit janë në KF Shkodra me trajner Taip Piraniqin, për të vijuar me Vllazninë, dhe skuadra të tjera, brenda dhe jashtë vendit, ku e fundit ishte Shkëndija e Tetovës, do të vijojë tashmë në Turqi.
Shtatlartë, elegant me topin, por edhe jashtë fushe, Guri vazhdon të mbetet ndër futbollistët më të kërkuar nga trajnerët, për vete nuhatjen tipike që ka për të çuar topin në rrjetë. Kampionati turk, mund të jetë ideali për të vijuar rritjen e parametrave të tij cilësor, dhe më pas, pse jo, Instanbulspor të jetë një trampolin për të kaluar në skuadra të tjera të nivelit edhe më të lartë europiane.
Suksese, Sindrit!