Thursday, November 21, 2024

Futboll Femra, fitojnë ekipet shkodrane, Vllaznia kryeson me 18 pikë

Lexo

Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra ka luajtur ndeshjet e javës së gjashtë, ku ajo që të bie në sy janë tre fitoret e ekipeve shkodrane, Vllaznia, Juban Danja Murlani dhe AAS. Takime këto, që dy prej tyre, Juban Danja Murlani dhe AAS i luajtën në shtëpi, ndërsa kampionet në fuqi të Vllaznisë ishin mysafirë në Devoll përballë Bilisht Sportit vendas. Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajnerët Nikolin Leka dhe Arben Parmeza ishte e pamëshirshme ndaj ekipit vendas duke e mundur me rezultatin e thellë 0 me 11. Si gjithnjë spikat e zakonshmja Megi Doçi me shënimin e 7 golave personal, ndërkohë që të tjerët kanë për autor Vuksanin dy gola, si dhe nga një Kodra dhe Lufo. Me 6 ndeshje-6 fitore, pas kësaj jave, Vllaznia vazhdon të kryesojë tabelën e klasifikimit me 18 pikë të plota.  Një tjetër fitore të bukur dhe të thellë ka arritur edhe Juban Danja Murlani duke mundur në shtëpi Lushnjen me rezultatin 5 me 0. Shkodranet dominuan në pjesën e parë duke shënuar katër herë me Iris Beqiragën, MatildaTanushin, Fabiola Cakën dhe Enxhi Selimin. Në pjesën e dytë, Jubani menaxhoi avantazhin dhe arriti të shënojë golin e pestë dhe të fundit të ndeshjes me penalltinë e realizuar mjeshtrit nga kapitenia Paola Jaku. Fitore kjo për Juban Danjen Murlani që vazhdon ta mbajë në grupin e skuadrave të vendin të dytë që ndjekin hap pas hapi Vllazninë kryesuese.

Fitorja e radhës për ekipet shkodrane të futbollit të femrave ishte ajo e AAS, e cila mundi Skëndërbeun me rezultatin e ngushë 2 me 1. Për AAS-të shënuan në pjesën e parë Ndoci dhe Reshiti, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, korçaret i kundërpërgjigjen me golin e Repës, duke ngushtuar rezultatin, por pa ndryshuar fatin e ndeshjes. Pas kësaj jave, me 9 pikëtë grumbulluara, AAS është e shtata në renditje.

Në takimet e tjera, Apolonia mundi në transfertë Partizanin 3-5. Për fieraket golat u shënuan nga Hamonikaj, si dhe Armoku dhe Gashi nga dy gola personal. Ndërkohë, për ekipin vendas golat u shënuan nga Tota, Mile dhe Begallo. Me 15 pikë, pesë fitore dhe një humbje, Apolonia mban vendin e dytë të klasifikimit, si skuadra më rivale e Vllaznisë në këtë kampionat. Derbi i Kryeqytetit, Tirana-Tirana AS fiksoi rezultat të barabartë 2-2. Autore të golave për Tiranen ishin Goro  dhe Vishulli, ndërsa për Tiranën AS Coka dhe Troka. Çifti i fundit për javën e gjashtë të KK të futbollit të femrave është Teuta-Kinostudio që do të luhet pasditen e së dieles në Durrës.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img