Vorskla Kharkiv(Ukrainë)-Vllaznia 1-1
(Shënues: Osipian 65′(p) / 53′ Doçi)
E mërkurë, 21 shtator 2022, ora 18:00, Stadiumi “Loro Boriçi”-Shkodër
Vorskla : Samson; Filenko, Korsun, Podolska, Corneil; Osipyan, Kotiash; Andrukhiv, Kalinina, Radionova; Kravchuk. Trajnere: Nataliia Zinchenko
Vllaznia :Mosier; Gjergji, Knox, Maliqi, Kloss; Berisha, Franja; Patterson, Cavanaugh, Doçi; Veronica. Trajner: Nikolin Leka
Gjyqtarë: Kristiana Giorgieva(Bullgari), Pavleta Rrashkova(Bullgari),Ekaterina Marinova(Bullgari)
Vëzhgues: Lyubima Banova(Bullgari)-Delegat Annelie Larsson(Suedi)
Një publik për ta pasur zili edhe Superiorja e meshkujve që kishte mbushur tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”, luftë të fortë sportive, emocione, gola, penallti, kartona të verdhë dhe të kuq, të gjitha i kishte sfida e luajtur pasditen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës në mes kampiones së Ukraines, Vorskla Kharkiv dhe Vllaznisë së Shkodrës, kampione nëntë herë radhazi e Shqipërisë.
Një takim ky i vlefshëm për fazën Play-Off të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll femra, i cili edhe pse luhej në “Loro Boriçi”, pritëse në këtë sfidë ishte skuadra ukrainase, pasi si rezultat i problemeve të konfliktit të luftës që po kalon Ukraina nga sulmet e Rusisë, FIFA ka pranuar marrëveshjen në fjalë që të dy takimet të luhen në Shkodër.
Një ceremoni nderuese përpara fillimit të ndeshjes për Megi Doçin, sulmuesen e Vllaznisë, e cila në cilësinë e golashënueses më të mirë të kampionatit të sezonit të kaluar ka merituar trofeun “Këpuca e Artë”, të cilin ia ka dorëzuar, antarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha.
Më pas, referuar ecurisë së ndeshjes, është parë një pjesë e parë me një epërsi të skuadrës ukrainase, e cila ka befasuar, por edhe është duartrokitur, sidomos kur ka goditur tranversën e portës kuqeblu. Në 45 minutat e para, Vllaznia, e cila realisht kishte disa mungesa dëmtimesh në këtë ndeshje të parë, nuk doli në lojën e saj duke u shfaqur dobësi në shumë drejtime, ku vetëm disa inkursione të kapitenes Megi Doçi i jepnin gjallëri lojës së skuadrës shkodrane. Ndërkohë, edhe pse me dominimin ukrainas, është Vllaznia që arrin të shënojë, por çuditërisht, goli anulohet duke u shoqëruar me pakënaqësi nga kampi kuqeblu.
Me rezultatin e barabartë 0-0, skuadrat kanë shkuar në pushimin mes dy pjesëve, aty ku trajneri Nikolin Leka, pasi ka pasur mundësi të studiojë lojën e kundërshtarit, të cilin siç e pohuan edhe pas ndeshjes, nuk kanë pasur asnjë video dhe mundësi tjetër për ta vëzhguar lojën e tyre, me këshillat dhe orientimet e dhëna në dhomat e zhveshjes, ka bërë që skuadra kuqeblu të jetë krejt tjetër në fushën e lojës për pjesën e dytë.
Dhe, kjo u reflektua shumë shpejt, kur tetë minuta nga fillimi i të dytës, është ajo, e zakonshmja Megi Doçi që shënon në potën e Ukrainës duke kaluar Vllazninë në avantazh. Gol që shoqërohet me entuziazëm dhe brohoritje të shumta nga tifozëria shkodrane.
Vllaznia vijon të luajë mirë edhe pas shënimit të golit të avantazhit duke kërkuar një gol tjetër të dytë. Ndërkohë, nga ana tjetër mikeshat nga Ukraina japin shkëndijat e një reagimi në fushën e lojës dhe në një nga sulmet në portën kuqeblu, përfitojnë një penallti në favor të tyre nga arbitrja bullgare Kristina Georgieva që për kampin kuqeblu ishte e dyshimtë. Gjuajtja nga pika e bardhë nga sulmuesja Kalinina grushtohet nga portjerja e Vllaznisë Uilliams-Mosier, por në vijim të aksionit, topi i mbetur në zonë goditet nga Olga Osipian duke e dërguar në rrjetë.
Barazimi 1 me 1, duket se nuk pranohet nga Vllaznia, e cila lëviz shumë në fushën e lojës duke ushtruar presion në portën kundërshtare në kërkim të golit të fitores. Minuta këto që nga dëshira dhe këmbëngulja për ta fituar ndeshjen, ka tension në radhët e futbollisteve kuqeblu por edhe në pankinë, gjë që gjyqtarja kryesore e udhëzuar nga arbitrja e katërt ndërkon me dy të verdha dhe më pas edhe me të kuq zyrtarin e Klubit të Futbollit Femra Vllaznia. Ndërkohë, kampionia e Ukrainës duket më inferiore në fushën e lojës, ku me disa veprime të vonesës së lojës të jep përshtypjen se është e kënaqur me barazimin.
Dhe, vërshëllima e fundit gjen në fuqi rezultatin e barabartë 1 me 1. Rezultat që në një farë mënyre, duke gjykuar që pjesa e parë ishte e kampiones ukrainase dhe e dyta e Vllaznisë, duket pak a shumë si i drejtë. Por, në kampin shkodran mendojnë ndryshe, që falë rasteve të krijuara, përfshirë edhe golin e anuluar në pjesën e parë nga ana e tyre dhe një penallti e dyshimtë dhënë në favor të kundërshtarit në pjesën e dytë, fitorja duhet të ishte e tyre.
Gjithësesi, për të vendosur fatin e kualifikimit dhe realizimin e ëndrrës së kalimit në fazen e grupeve të 16-tëshes, do të luhet edhe një betejë tjetër javën e ardhshme. Sfidë kjo që do të luhet po në stadiumin “Loro Boriçi”, por sipas kalendarit, këtë radhë me Vllazninë pritëse.
Gaspër MARKU