Oliver Matija, menaxher i ekipit të Vllaznisë në futboll femra dhe njëkohësisht edhe vidioanalist pranë kësaj skuadre, futbollistja amerikane që luan për Vllazninë Meghan Cavanaugh dhe Arbenita Curraj, mbrojtëse e majtë në formacionin kuqeblu, ishin sot në një konferencë shtypi të organizuar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”. Konferenca në fjalë erdhi një ditë përpara ndeshjes së dytë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll femra, pasi nesër në orën 16:00 luhet supersfida, Vllaznia- Vorskla Kharkiv(Ukrainë).
Sipas Oliver Matisë, i cili e mori i pari fjalën në konferencë, Vllaznia pritet të prezantohet më e kompletuar se në ndeshjen e parë, pasi në dispozicion të trajnerit Nikolin Leka janë edhe dy nga tre të dëmtuarat e javës së kaluar, Gjini dhe Curraj. Ndërkohë, gjithnjë sipas Matisë, avantazh për skuadrën e tyre është edhe ajo se tashmë ato e njohin më mirë skuadrën kundërshtare, të cilën kanë pasur mundësinë ta studiuojnë edhe përmes pamjeve filmike të ndeshjes së parë.
Për amerikanen Meghan Cavanaugh, ditët në Shkodër janë një kujtim shumë i bukur, madje së bashku me të është edhe familja e saj e cila ka ardhur enkas për të mbështetur Vllazninë në kualifikimin e skuadrës kuqeblu në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve të Europës.
Në prononcimin e dhënë për mediat e pranishme, ajo ka besim të madh për fitore dhe kualifikim në ndeshjen e dytë ne Shkoder pret ta shijojë dhe ta festojë pas ndeshjes mr grupin kuqeblu, por edhe me familjen e saj. Ndërkohë, duke folur për të ardhmen, në lidhje me vazhdimësinë e bashkëpunimit me Vllazninë, ajo tha se dëshira është, por akoma nuk e kanë vendosur me drejtuesit.
Me shumë emocion po e pret nesër sfidën ndaj kampiones së Ukrainës edhe shqiptarja e Kosovës, Arbenita Curraj, e cila në ndeshjen e kaluar, për arsye dëmtimi nuk e pati të mundur aktivizimin në fushën e lojës, gjë të cilën, siç tha edhe ajo vetë, e ka vuajtur shumë një gjë të tillë.