Sivaspor-Ballkani 3-4
(Shënues: 1′ Ulvestad, 76′ Jesiljurt, 90’+1′ Jatabare / 20′ Thaqi, 31′ Potoku, 66′ Korenica, 90’+4′ Krasniqi)
Trajneri nga Tirana, Ilir Daja, vazhdon të jetë në eliten e teknikëve të futbollit. Pas sukseseve në kampionatin shqiptar duke u shpallur kampion me Elbasanin, Dinamon, Skënderbeun, një gjë të tillë e bëri sezonin e kaluar në kampionatin kosovar duke u shpallur kampion me Ballkanin.
Ndërkohë, kualifikmi në grupet e Conference League me Ballkanin e drejtuar prej tij ishte një tjetër sukses që e futi në histori tekniku shqiptar. Por, nuk u mjaftua me kaq, sepse paraqitjet e Ballkanit të drejtuar prej tij vijojnë të jenë mbresëlënëse edhe në ndeshjet e afzës së grupeve. E tillë ishte edhe fitorja e mbrëmjes së enjte në sfidën e luajtur në Turqi përballë Sivaspor, ku Ballkani regjistroi fitoren e parë në grupet e Conference League duke triumfuar me rezultatin 3-4.
Referuar ecurisë së takimit, edhe pse kosovarët u goditën që në sekondat e para të ndeshjes nga vendasit, por me një lojë sulmuese ditën të kthenin rezultatin e sfidës në 2-1 falë Thaqit e Potokut dhe iu afruan disa herë golit të tretë të cilin e gjetën në pjesën e dytë me anë të Korenicës.
Vendasit u hodhën në kërkim të barazimit dhe me pak fat, ia dolën të shënonin fillimisht me Jesilurt e pastaj me Jatabare, kur regjistrohej minuta e parë shtesë e takimit. Por këtë herë shtesa do t’i sillte fat kosovarëve, të cilët me anë të Krasniqit, pas një kundërsulmi të shpejtë, shënuan golin e katërt dhe siguruan një fitore që do të kujtohet gjatë për futbollin kosovar. Pas kësaj ndeshje, Ballkani shkon në kuotën e katër pikëve në grup dhe mban vendin e dytë duke shpresuar për një kualifikim të mundshëm në fazën e ardhshme.
Krahas te tjerave, fitorja në transfertën turke ndaj skuadrës Sivaspor ka rritur jo pak të ardhurat e klubit kosovar. Nga sa bëhet e ditur, pas tre ndeshjeve të luajturam Ballkani ka arritur të arkëtojë 666 mijë euro, pas 1 barazimi dhe 1 fitore. Kujtojmë që barazimi në grupet e Ligën e Konferencës shpërblehet me 166 mijë euro, ndërsa fitorja me 500 mijë euro. Skuadra e Ilir Dajës, edhe ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Sivasporit, kësaj here në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës dhe gjasat janë që të përsërisë të njëjtin sukses si në këtë përballje.