Ndonëse zyrtarisht merkato dimërore hapet pas datës 1 janar të vitit 2021, në Klubin e Futbollit Vllaznia kanë nisur të mendojnë më herët për një gjë të tillë. Burime brenda klubit shkodran bëjnë të ditur për Veriu Sport se në listen e emrave të preferuar për t’u veshur kuqeblu ka shumë emra, por bazuar në atë që stafi teknik e quan si më të domosdoshme nuk pritet të jenë më shumë 3-4 futbollistë që mund t’i shtohen kontigjentit aktual. Ndonëse nuk janë bërë të ditur akoma zyrtarisht, në skenë kanë dalë tre emrat e parë, me të cilët Vllaznia mund të firmosë në javën e parë të janarit. Nga sa bëhet e ditur që të tre janë futbollistë të huaj, dhe sipas CV-ve përkatëse spikasin për një nivel cilësor të tyre.
Luis Pedro Cavanda dhe Akos Kecskes, pjesë e repartit të prapavijës, i pari në pozicionin e mbrojtësit të majtë dhe i dyti qëndërmbrojtës, si dhe Brajan Perea në pozicionin e sulmuesit, janë emrat më të lakuar që me të gjitha gjasat në janar do të vishen kuqeblu.
Nga i njëjti burim mmësohet se, Luis Pedro Cavanda me pasaportë Belge është i moshës 29 vjeçare, futbollist që ka luajtur më herët tek Torino, Lazio, Galatasaray, Trabzonspor, dhe së fundmi Standart Liege. Për 24 vjeçarin nga Hungaria, Akos Kecskes, thuhet se periudhën e fundit ka luajtur në Zvicër me Luganon, ndërkohë që kolumbiani Brajan Perea, 27 vjeç është aktivizuar me Lazion dhe Perugian. Gjithnjë sipas informacioneve brenda klubit kuqeblu, mundësia e firmosjes së tyre me Vllazninë ka të bëjë edhe me atë që emrat në fjalë janë futbollistë të lirë, gjë që ia lehtëson punën drejtuesve kuqeblu për t’i bërë pronë të tyre me një kosto më të lehtë financiare.