”Mirupafshim Korabi, sepse nuk të them dot lamtumirë!” Kështu e nisë postimin në profilin e tij të rrjetit social FB, gardiani i portës dibrane Kadri Birja. Një status me dy kuptime, e para jep njoftimin e largimit nga përbërja e skuadrës dibrane, dhe e dyti, mirënjohja dhe nostalgjia për Korabin dhe drejtuesit e tij është e pranishme, duke dashur të lërë një derë hapur për çdo moment dhe mundësi rikthimi përsëri në këtë ekip, ku siç e pranon edhe ai vetë e kaluar ditë të mira.
“Nga sot nuk jam më pjesë e ekipit të Korabit, jam lojtar i lirë. Dua të falenderoj Shefin e Klubit Donald Mëziu për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, Bashkinë dhe Presidentin Fehmi Mëziu për korrektësinë dhe mbështetjen këto tre sezone që isha pjesë e Korabit.Gjithashtu falenderoj të gjithë lojtarët që kemi qënë bashkë këto tre sezone. Një falenderim edhe për tifozët dibranë qe na kanë mbështetur ndeshje pas ndeshje. Forca Korabi ”, shkruan portjeri Birja në statusin e tij.
Më tej, gjatë komunikimit që Veriu Sport pati me portjerin Birja, mësoi se falë paraqitjes së shkëlqyer që ai pati në mbrotje të portës dibrane, në adresë të tij kanë mbërritur jo pak oferta. Ato fillojnë që nga kampionati shqiptar i kategorisë së parë, kryesisht ekipe të rangut të parë që pretendojnë për në Superiore, ndërkohë që ka edhe sinjale edhe nga Superiorja. Por, përpos tyre, dhe që duket se janë edhe më bindëset për të në aspektin financiar, janë ato të ardhura nga kampionati kosovar. Konkretisht, më të dashuruar pas portjerit Birja duken ekipet e Prizrenit, A&N dhe Liria, ndërkohë që interes ka edhe nga skuadra të tjera të Superligës kosovare.
“Ndiehem i vlerësuar për interesimin e të gjithë atyre që më kanë kontaktuar, qoftë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Për vetë kohën e shkurtër që këtë sezon ofrohet për pushimin në periudhën e ndërrimit të viteve, më duhet të vendos shumë shpejt për ekipin e ri.”, thotë portjeri Birja duke lënë të kuptohet se preferenca e parë e tij është Kosova, ku edhe dëshiron një përvojë të re në kampionatin e atjeshëm për pjesën e mbetur të sezonit futbollistik 2020-2021 dhe mandej në përfundim të sezonit për të vendosur më qeëtësisht, nëse do të vijojë të qëndrojë më gjatë në Kosovë, apo të transferohet në ndonjë kampionat tjetër.
Gaspër MARKU