Pas suksesit të rreth një muaj më parë në Kampionatin Europian të Kataresë, zhvilluar në Firenze-Itali, ku mes konkurenteve të forta nga e gjithë Europa u shpall nënkampione e Europës, Mikela Skandaj, regjistroi suksesin tjetër të radhës.
Këtë herë ishte Turneu shumë i rëndësishëm ndërkombëtar i zhvilluar në Verona, “Open di Karate”, ku karateistja me origjinë nga fshati Baqel i Lezhës shkëlqe në konkurimin e saj.
Në fakt, gara në fjalë ka qënë ndër më të vështirat e karrieses së saj për Mikelen, kjo edhe për faktin se ajo gjatë periudhës së fundit të prag aktivitetit, ka qënë e përfshirë në një gjendje të rënduar gripale, por që me dëshirën për të mos e humbur mundësinë e konkurimit, vendosi të konfirmojë pjesëmarrjen e saj në garë.
Dhe, 13 vjeçarja e talentuar shqiptare, që edhe pse zyrtarisht nuk ka akoma një konfirmim nga strukturat zyrtare të Federatës Shqiptare të Karatesë, ajo vazhdon të përfaqësohet në garë me flamurin shqiptar, korri sërishmi suksesin e merituar. Rezultatet teknike të Mikeles në këtë garë ishin fitimi i medaljeve në dy stile të ndryshme, Kata dhe Kumite, rezultate këto në klasifikimin individual, por edhe ekipor.
Medaljet në fjalë të fituara në Turneun e Veronës i shtohen atyre të mëparshme duke e çuar numrin e tyre në 35 të tilla, një shifër kjo mjaft e vlerësuar nga organizatorët e karatesë italiane për vetë moshën e re që ka karateistja nga Lezha. Sukses ky, që krahas talentit të vetë Mikeles, ka brenda edhe mbështetjen e vazhdueshme që vazhdon të ketë nga babai i saj, Angjelin Skandaj, i cili në një farë mënyre është shndërruar në një trajner të dytë për vajzën e tij.
Kjo ishte gara e fundit që Mikela Skandaj zhvillon për vitin 2022, ndërkohë që viti i ri 2023 do të nisë me një program të ngjeshur aktivitetesh, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për Mikelen, tashmë objektivi është, që duke vijuar të stërvitet intensivisht me trajnerët e tij italianë të vijojë të fitojë medalje, jo vetëm në shkallë europiane, por synimet e saj janë për tu futr në zonën e medaljeve edhe në nivelet botërore. Megjithatë, pengu i saj vazhdon të jetë ai që ka shpalosur edhe më herët, duke qënë në pritje të një marrëveshje me Federatën Shqiptare të Karatesë, në mënyrë që konkurimet dhe sukseset e saj mos t’i faturohen Italisë, por të shkojnë për kombëtaren e Shqipërisë.
Gaspër MARKU