Humbja e sotme me Kastriotin 1-0, ndeshje kjo e zhvilluar në stadiumin e Kamzës, ka zhgënjyer pa masë tifozërinë shkodrane, e cila në fakt priste një reagim tjetër të skuadrës së zemrës pas asaj humbje turpëruese në shtëpi me Egnatian.
I zhgënjyer me rezultatin e kësaj ndeshje është edhe vetë trajneri Mirel Josa, i cili pas ndeshjës, Kastrioti-Vllaznia, analizon ecurinë e takimit duke ngarkuar me përgjegjësi prapavijen.
“Jam i zhgënjyer me rezultatin, mënyrën si humbën. Pjesën e parë morëm karton të kuq edhe ishim përsëri superiore. U munduam edhe me 10 lojtarë të shpërngulemi në fushën e kundërshtarit. Humbëm raste shumë të pastra. Jam i kënaqur me përpjekjet si në fillim por edhe se vinim nga humbja. Kështu është futbolli. Problemi është se skuadra pati iniciativa dhe në disavantazh numerik. Duhet të ishim më të qetë në momentet kur pësuam golin. Humbëm kohë. Përpara se të pësonim golin duhet të tregoheshim më të qetë pasi kishim raste. Duhet të jemi të qetë të vazhdojmë për më tej. Nuk mund të flas për merkato, por me klubin kemi diskutuar. Me problemet që kemi, janë dy qendërmbrojtës të dëmtuar. Ne kemi probleme në mbrojtje dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë”, tha ndër të tjera për “Oversport”, tekniku i kuqebluve Mirel Josa në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.