Partizani arriti të merrte një fitore mjaft të rëndësishme në derbi ndaj Tiranës, me sfidën që u mbyll 1-0 në favor të demave, ku Xhuliano Skuka do të ishte vendimtar për të kuqtë. Drejtuesit kanë menduar të bëjnë goditjen gjatë merkatos së janarit, ndërsa janë hedhur në sulm për sulmuesin e kombëtares shqiptare. Largimi i Cvetanoskit uli numrin e opsioneve për Kolelën, që herë pas here i është dashur të eksperimentojë. Sulmi është reparti ku Partizani do të përqendrohet më së shumti për të forcuar skuadrën.
Të kuqtë i kanë bërë ofertë zyrtare Eros Grezdës, ish-sulmuesit të Kombëtares, i shumëshëtitur në disa klube me emër jashtë vendit.
Në verën e shkuar, pasi kaloi dëmtimin e rëndë në gju, Grezda firmosi me ekipin e Manisës në ligën e dytë për nga rëndësia në Turqi, opsion, të cilin e pa si një mundësi të artë për t’u ringritur në arenën e madhe të futbollit.
Duket se në skuadrën e re, në ekipin e Manisës në ligën e dytë për nga rëndësia në Turqi ku ai firmosi verën e shkuar, nuk ka gjetur hapësira dhe ambientin e duhur për të arritur synimin e tij. Ish-sulmuesi i Reinxhers në Skoci ka luajtur në vetëm 10 ndeshje deri më tani, duke grumbulluar vetëm 231 minuta, pa arritur të shënojë apo asistojë.
Mundësinë e aktivizimit ia ofron Partizani. Përfaqësues të klubit të kuq e kanë kontaktuar zyrtarisht Grezdën, duke i prezantuar projektin e trajnerit mbi të dhe i bërë një ofertë zyrtare, shifrat e së cilës nuk bëhen ende të ditura. Sulmuesi ka mirëpritur propozimin e Partizanit, duke lënë gjithçka të hapur, por ka zgjedhur të mos kthejë një përgjigje, deri në momentin ë ende nuk është ndarë zyrtarisht me klubin aktual.