Sunday, November 24, 2024

Ndërron jetë në moshën 79 vjeçare veterani i sportit, Dashamir Sherja

Lexo

Një tjetër emër i njohur i sportit shkodran ka ndërruar jetë në moshën 79 vjeçare. Bëhet fjalë për ish atletin kampion dhe rekordmen të garës së maratonës, Dashamir Sherja, më pas trajnerin, mësuesin e edukimit fizik, drejtuesin e klubit kuqeblu, por edhe artistin e mirëfilltë të skenës, dhe së fundmi edhe botuesin e librave sportiv. Lajmi bëhet i ditur nga djali i tij, Ermal Sherja, duke publikuar një status në rrjetin social FB.

“Me hidhërim të thellë ju lajmëroi se baba Dashamir Ismail Sherja ndrroi jetë. Maratona e tij e jetes mbaroi sot. Varrimi bëhet ne ora 15.00. Nga situata e krijuar keni mirkuptimin tonë megjithëse babai ndërroi jete nga shkaqe që nuk kanë lidhje me covid”….

Ermali, edhe ai dikur sportist që është rritur në traditën e mirëfilltë të sportit në familjen e tij përdor jo më kot në status shprehjen “Maratona e tij e jetes mbaroi sot”!, duke dashur ta krahasojë me pasionin e vrapimit të sportit të maratonës që e shoqëroi babain e tij gjatë të gjithë jetës së tij.

Po kush ishte Dashamir Sherja?

Dashamir Sherja, i përket atij brezi sportistësh shkodranë të viteve ’60-të, të cilët bënë histori në sportin shqiptar duke qënë kampion dhe fitues i kupave të shumë aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare në sportin e atletikës. Një figurë sportive e njohur dhe e respektuar, ku fillimet i pati si futbollist me ekipet e të rinjëve, por i spikatur më pas  në në garat e atletikës ku mban titullin “Mjeshtër Sporti”, për të vijuar më pas edhe si trajner, gjyqtar, drejtues i klubit Vllaznia, mësues i edukimit fizik. Interesante është që Dashamir Sherja, u lind me 8 dhjetor të vitit 1942 në Tiranë, dhe që fëmijërinë e hershme e kalon në kryeqytet, për t’u shpërngulur më pas në vitin 1954 në qytetin e Shkodrës, në vendlindjen e babait dhe të parëve të tij, ndërkohë që nëna e tij vinte nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës. “Në Shkodër, jam rritur në lagjen Dërgut, ku krijova edhe shoqërinë e re, pas asaj që kisha lënë në Tiranë”, theksonte Dashi gjatë një interviste që autori i këtij shkrimi i bënte shumë vite më parë, duke kujtuar me nostalgji atë periudhë shumë të veçantë të jetës së tij.  Ndërkohë, duke folur për përfshirjen e tij në sport, Sherja, thotë se karrieren sportive e ka filluar në vitin 1955, duke u inkuadruar në ekipin e të rinjëve të atletikës shkodrane, ndërkohë që pasi fillon edhe vitin e parë të gjimnazit, për arsye ekonomike detyrohet të shkëputet për t’u punësuar në ndërmarrjen e Zukth Kashtave. Gjatë kësaj periudhe shkëputet sërishmi në kryeqytet ku përmes të afërme të tij, gjen një punë më të mirë, ndërkohë që falë aftësive të tija individuale, ish futbollisti i Vllaznisë, Pal Mirashi, i cili drejtonte ekipin e futbollit të të rinjëve të Tiranës e merr në skuadër duke e aktivizuar menjëherë në formacion si titullar.

Karriera si atlet me Vllazninë

Pas shërbimit ushtarak, të cilin e kryen në Vlorë, në vitin 1964 rreshtohet pranë ekipit të atletikës së Vllaznisë, ku nën drejtimin e trajnerit Dhimitër Banushi, konkuron në garat e vrapimeve të mesme dhe të gjata. Prej vitit 1965 deri në vitin 1972, Dashamir Sherja spikat si një nga atletët më të dalluar të klubit Vllaznia, një karrierë e mbushur me plot emocione të bukura sportive, pjesë e së cilës janë në vazhdim edhe aktivizimi si gjyqtar dhe trajner i atletikës.

Pasioni për artin

Dashamir Sherja nuk ishte i njohur vetem si sportist, sepse pasioni për artin kishte jo pak vend në jetën e tij. Për këtë, Sherja, kërkon të provojë talentin e vet edhe në skenë, ku pasi ka fituar një konkurs në Tiranë për aktor, ndjekë mësimet pranë Teatrit Popullor, ndërkohë që nuk nguron të jetë pjesë e shumë shfaqjeve në Tiranë dhe sidomos në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Sherja, mësues i edukimit fizik

Në kualifikimet e tij universitare, Dashamir Sherja figuron që ka përfunduar studimet edhe në Institutin e Larte të Fizkulturës “Vojo Kushi” duke hapur në vazhdim një kapitull më vete si mësues i edukimit fizik. Detyrë të cilën e kryen me shumë pasion dhe në mënyrë shujë profesionale, sidomos në Bajzë të Malësisë së Madhe, ku së bashku me kolegen e tij File Pepaj (Çulaj), krahas të tjerave kontribuan në ndërtimin e një terreni sportiv model për të gjithë zonën e ndoshta më gjërë.

Postet drejtuese, Sherja shef i SK Vllaznia

Me një kontribut shumë planësh në fushën e sportit, Dashamir Sherja, do të emërohej më pas në vitin 1979 në postin e shefit të Sport Kubi Vllaznia, vite që përkojnë me arritjen e shumë sukseseve të ekipeve të Vllaznisë në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Spotistët dhe trajnerët e atij brezi që drejtoi e mbajnë mend Dashamir Sherjen si një drejtues shumë të përkushtuar në detyrën e tij, komunikues dhe bashkëpunues me secilin, jo vetem në aspektin sportiv, por edhe atë njrëzor. Ndërkohë, më pas, ai nuk do të vononte për t’iu rikthyer sërishmi misionit të edukimit fizik, por tashmë në qytetin e Shkodrës duke shërbyer për 21 vite deri sa doli në pension, si mësues-trajner atletike në shkollën sportive të atletikës “10 Korriku”, sot “Skenderbeu”, kryesisht me ekipet e vajzave, nga duart e të cilit hodhën hapat e parë shumë kampione dhe rekordmene të atletikes shkodrane dhe asaj shqiptare.

Aktiv edhe në pension

Pas daljes në pension, Dashamir Sherja vijoi të qëndroi sërishmi pranë sportit duke qënë shumë aktiv sidomos me shoqatën e veteranëve të sportit shkodran ku mbante postin e kryetarit, ndërkohë që më shumë vlerë është botimi në vitin 2016 i librit “Enciklopedia e Sportit Shkodran”, e para e këtij lloji për qytetin e Shkodrës, në të cilin përmblidhen emrat e të gjithë sportistëve që kanë qënë pjesë e klubit sportiv Vllaznia në vite, numri i të cilëve i kalon të 3 mijë personazhet e trajtuar në këtë libër. Veriu Sport i përcjellë ngushëllimet e sinqerta familjes “Sherja” për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe klubit Vllaznia për humbjen e kësaj figure të njohur sportive.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img