Viti 2023 ka nisur në mënyrën më të mirë për talenten e arteve marciale, Mikela Skandaj. 13 vjeçarja, prindërit e së cilës janë nga fshati Baqel i Lezhës, por ajo vetë ka lindur në Itali, po spikat prej disa vitesh në sportin e karatesë duke qënë protagoniste në të gjitha garat dhe kampionatet që po zhvillohen në Itali.
Vitin 2022 e mbylli si kampione dhe si kampione e nisi edhe vitin 2023, kur në garën e parë të këtij viti, ajo spikati me talentin e saj të padiskutueshëm. Në garat e zhvilluara në Mantova të Italisë për eliminatoret e kampionatit Italian të karatese, Mikela konkuroj në dy stile të ndryshe, kata dhe kumite.
Duke shpalosur talentin që ka, ajo arriti të triumfoj mbi të gjithë duke fituar dy vende të para e duke marrë dy medalje të Arta. Medalje këto, që Mikela arriti t’i fitojë në konkurencë me rreth 300 sportiste të përzgjedhur nga Italia e veriut.
Rezultatet në fjalë të Mikela Skandajt, vijnë pas një përgatitje sistematike që ajo zhvillon në proçesin stërvitor, gjithmonë duke vijuar të jetë në të njëjtën kohë edhe një nxënëse e shkëlqyer në shkollë.
Siç është thënë edhe herët e tjera, ngjitjen e saj në podium, Mikela Skandaj e shoqëron me flamurin shqiptar, por kjo për shqiptaren e lindur në Itali është vetëm simbolike, sepse dëshira e saj ka qënë dhe është për të përfaqësuar zyrtarisht Shqipërinë në garat ndërkombëtare.
Kërkesat për një gjë të tillë kanë qënë të shumta, por deri më tani, sipas saj, si dhe babait të saj, Angjelin Skandaj që e mbështet në këtë rrugëtim të sportit, nuk ka asnjë reagim konkret për një gjë të tillë. Shqipëria ka në dorë një medaliste të talentuar që i vetofrohet, por nëse nga strukturat sportive dhe shtetërore shqiptare do të vazhdohet të ketë neglizhencë, ka shumë mundësi që të përfitojë Italia ta bëjë pjesë të kombëtares së saj talenten nga Lezha.
(Video) Ndeshjet e karateistes shqiptare, Mikela Skandaj, në Mantova të Italisë, ku fitoi dy medalje të arta)
Gaspër MARKU