Me një bilanc pozitiv të dy ndeshjeve të parë të luajtura në kryeqytet për fazën e parë të këtij sezoni, një fitore dhe një barazim, Vllaznia pret sot në Shkodër, Tiranën kryesuese. Në një kryesfidë të javës së 21-të që prej kohësh nuk e ka pasur këtë karikim kaq të madh në pragndeshje.
Në një farë mënyre, presioni është mbi Vllazninë, së cilës i kërkohet patjetër fitorja për të rihapur kampionati, pasi aktualisht bardheblutë kryesues janë 6 pikë plus në kryesim ndaj Vllaznisë së vendit të dytë. Ndërkohë, që miqtë nga kryeqyteti, një barazim në Shkodër do të ishte një rezultat i favorshëm për të mbajtur diferencen aktuale që kanë me kuqeblutë.
Me një tifozëri që pritet të jetë në shifrat rekord, Vllaznia vjen në këtë sfidë e konsiliduar, ku sidomos fitorja me Kukësi i ka dhënë moralin e duhur. Sa i përket formacionit, tekniku Josa ndjehet komod, ku përpos besimit që do t’i japë formacionit fitues të ndeshjes së kalaur, për këtë sfidë ka edhe një armë më shumë në dorë, atë të Liridon Latifit, i cili me sinjalet pozitive që paraqiti me aktivizimin në pjesën e dytë ndeshjen e kaluar me Kukësin, tregoi se tashmë e ka lënë pas dëmtimin.
Bojan Zogoviçin në portë, Geralb Smajlin në të djathtë dhe Esin Hakaj në të majtë, kapiteni Erdenis Gurishta dhe Dajan Shehi në qendër, përbërjnë repartin e mbrojtjes. Në mesfushë, Rejan Alivoda, Fjoart Jonuzi dhe Herald Marku, dhe në sulm, Ardit Hoxhajn dhe Esat Malën nga krahët dhe Bekim Balaj në majë, pritet të jetë formacioni që Josa do të nisë ndeshje sot ndaj Tiranës.
Ndeshja, Vllaznia-Tirana do të gjykohet nga ndërkombëtari elbasanas, Enea Jorgji, me anësorë, lezhjanin Ridiger Çokaj dhe tiranasin Denis Rexha. I katert do të jetë Albert Doda nga Tirana, ndërsa në sistemin VAR dhe AVAR do të jenë durrsakët, Florian Lata dhe Andi Koçi. Laçiani Sokol Çekaj është në rolin e vëzhguesit, ndërsa tiranasi Astrit Maçi, delegat i FSHF-së.